Gonxhja: Rosela punësohet në sektorin e turizmit, përmes Zyrës së Punës në Vlorë

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Rosela e nisi punën në turizëm si ndihmëskuzhiniere, falë ndërmjetësimit të Zyrës së Punës.
Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjete sociale historinë e saj, si një ndër shembujt për integrimin e të rinjve në tregun e punës.
“Sot ajo synon të ngjisë shkallët e profesionit drejt një karriere si shefe kuzhine”, tha Gonxhja, teksa ftoi të rinjtë të aplikojnë për punë në portalin online www.puna.gov.al. dhe të fillojnë karrierën në turizëm, si një eksperiencë që, siç tha ai, “të zhvillon profesionalisht”.
Rosela tregon se përmes Zyrës së Punës në Vlorë pati mundësinë të niste punë në sektorin e turizmit, që ishte edhe ëndrra e saj.
“Aktualisht punoj si ndihmëskuzhiniere në një ambient turistik në Vlorë, ku përballem çdo ditë me ritmin intensiv të sezonit dhe kërkesat e vizitorëve vendas dhe të huaj. Gjatë punës time kam përgatitur vakte tradicionale dhe ndërkombëtare, duke punuar ngushtë me ekipin e kuzhinës për të garantuar cilësi dhe shërbim të shpejtë. Më pëlqen fakti që kjo punë më jep hapësirë për krijim dhe mësim të vazhdueshëm”, u shpreh Rosela.
Për mua, shprehet ajo, “ky lloj arti më jep kënaqësi kur klienti e shijon”.
“Ky profesion më ka mësuar përgjegjësi dhe jo vetëm, durim dhe bashkëpunim. Jam e motivuar të vazhdoj rritjen time profesionale dhe një ditë të bëhem shef kuzhine, ose dhe të menaxhoj restorantin tim. Kam pasionin dhe dëshirën për të dhënë më të mirën çdo ditë, në këtë profesion që më përfaqëson”, thotë Rosela.
Portali Kombëtar i Punësimit, puna.gov.al është krijuar për të mbështetur tregun shqiptar të punës dhe falë tij shumë të rinj e të reja janë punësuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
/r.e//a.f/