MAS: U përjashtua maturanti në Durrës, publikoi tezën e provimit

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes një njoftimi zyrtar, bën me dije se pas ngritjes së një sistemi për identifikimin e personave përgjegjës për publikimin e tezës së provimit të Maturës Shtetërore, është përjashtuar një maturant në një prej gjimnazeve të qarkut Durrës.
MAS dhe institucionet e saj nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar si dhe ekipet e administratorëve të provimeve dhe vlerësuesit e tyre janë angazhuar maksimalisht në procesin e administrimit të provimeve të Maturës Shtetërore, duke garantuar standardet më të larta në organizim, ruajtjen e konfidencialitetit të testeve dhe zhvillimin korrekt të procesit të testimit.
Në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, theksohet se dalja e testit në rrjete sociale përpara publikimit zyrtar përbën një shkelje serioze të etikës dhe rregullave të provimit, dhe ndaj këtij fenomeni Ministria ka reaguar në mënyrë të menjëhershme dhe të vendosur.
“Është ngritur një sistem i posaçëm monitorimi dhe identifikimi, i cili ka mundësuar zbulimin e personave përgjegjës për rrjedhjen e testit pas nisjes së provimit. Konkretisht, është përjashtuar nga provimi një maturant, në një prej gjimnazeve të qarkut Durrës, i cili është evidentuar që kishte fotografuar testin me telefon”, thuhet një njoftim.
“Sa më sipër janë ndjekur të gjitha hapat për marrjen e masave administrative për moszbatim të rregullores të Maturës Shtetërore edhe ndaj përgjegjësit të administrimit të provimit në atë shkollë, i cili kishte për detyrë të garantonte ndalimin absolut të përdorimit të celularëve në ambientet e provimeve”, vijon njoftimi.
Ministria e Arsimit dhe Sportit mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit të procesit të Maturës Shtetërore dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për të parandaluar çdo akt që cenon këtë proces të rëndësishëm për arsimin dhe të ardhmen e të rinjve tanë.
/e.i//r.e//a.f/