Gonxhja: Strategjia Kombëtare, dyfishim i mesatares aktuale të financimit në kulturë deri në 2030-ën

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi paraqitjen e sotme të strategjisë kombëtare të kulturës 2026-2030 si fryt të një procesi të nisur që në tetor të vitit të kaluar, me konsultime të gjera dhe takime të shumta në çdo nivel.
“Sot jemi duke çuar përpara një paketë të thellë reformash: nga puna për ligjin e ri të donacioneve dhe sponsorizimeve për artin, kulturën dhe sportin, te ligji i ri i kinematografisë dhe audiovizualit, si dhe rishikimi i ligjit për artin dhe kulturën”, tha Gonxhja.
Aktualisht po punohet për ngritjen e Fondit Kombëtar të Artit, i ushqyer nga kursimi i tenderave, me synim pasurimin e koleksioneve të galerive, muzeve dhe veprave në hapësira publike, si dhe do të aktivizohet Fondi i Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore.
Një hapësirë krejtësisht e re do të hapet me ngritjen e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve nga lojërat e fatit. Ky mekanizëm i ri do të jetë mbështetje për nismat krijuese, kulturore, sociale e sportive.
Ministri foli për më shumë fonde të drejtpërdrejta jashtë tavaneve klasike buxhetore, që do t’u japin më shumë frymëmarrje ideve, industrisë kreative dhe aktiviteteve të qëndrueshme në shërbim të komunitetit, përmes politikave transparente që konkretizohen që këtë vit.
Ministri Gonxhja u shpreh se sfida e vërtetë është “jo thjesht të ruajmë atë që kemi, por të ndërtohet një sistem që funksionon, një sistem kapilar ku kultura nuk është e përqendruar në disa zona urbane, por shpërndahet si një e drejtë në të gjithë territorin dhe për të gjitha grupmoshat”.
Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 pritet të fuqizojë një sistem dinjiteti, ku artisti nuk është i detyruar të mbijetojë mes pasionit dhe pasigurisë, por ka mundësi reale për zhvillim profesional. Sa i përket institucioneve, ato do të kenë një sistem reference, ku institucionet fitojnë peshë si referenca besimi, si hapësira që prodhojnë kuptim e gjenerojnë ide, bashkëpunim dhe vlerë.
Gjithashtu kultura do të shihet si një burim zhvillimi që aktivizohet përmes turizmit kulturor, fuqizon ekonomitë lokale dhe i jep komuniteteve një rol të drejtpërdrejtë në ruajtjen dhe promovimin e saj.
Programet specifike parashikohen të shtrihen në tre nivele kryesore: në nivel institucional dhe profesional; në nivel territori dhe bashkëpunimi lokal; në nivel zhvillimi dhe modernizimi.
Ministri tha gjatë fjalës së tij se, Shqipëria sot alokon rreth 0,3–0,5% të PBB-së për kulturën dhe rekreacionin, më pak se gjysma e mesatares së Bashkimit Evropian prej afërsisht 1,2%.
“Përmes kësaj strategjie kombëtare, ne angazhohemi zyrtarisht ta dyfishojmë mesataren aktuale të financimit deri në vitin 2030, duke synuar të arrijmë në 0,8% të PBB-së, në përputhje me shtete të krahasueshme të BE-së si Rumania, Bullgaria dhe Italia, për të synuar në afatgjatë nivelin evropian prej 1–1,2%. Ky investim ambicioz përkthehet në një impakt të projektuar financiar prej rreth 709 milionë eurosh në ekonominë e sektorit tonë kulturor deri në vitin 2030”, u shpreh Gonxhja.
Në fund të prezantimit, kreu i MTKS-së falënderoi partnerët strategjikë: Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondacionin “Santagata”, të cilët me ekspertizën e tyre ndoqën modelimin e këtij dokumenti strategjik, si dhe Ambasadën e Italisë në Shqipëri e Qeverinë Italiane, partnerë të përhershëm të zhvillimit dhe integrimit evropian të Shqipërisë. /j.p/r.e/