“Kërce me mua” fiton Festivalin Kombëtar të 64-të për Fëmijë, do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest 2026″
Kënga “Kërce me mua” u shpall fituese e Festivalit të 64-t Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër dhe këngëtarja Eslin Kurti do të përfaqësojë Shqipërinë në “Junior Eurovision Song Contest” në Maltë që do të mbahet më 24 tetor.
Eslin u shpall fituese e kategorisë Junior (9-14 vjeç).
Kënga fituese është kompozuar nga Rei Bezhani, me tekst të Eriona Rushitit. Çdo vit, ky festival bashkon talente të reja nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora.
“Jam shumë krenare për veten, ndihem shumë e lumtur. Të gjithë ne konkurrentët kemi punuar shumë fort për këtë arritje. Prezantimi në Junior Eurovision Song Contest është një përgjegjësi e madhe”, tha këngëtarja Kurti.
“Pa diskutim vendosja e përfaqësimit në Junior nga fituesja e kësaj kategorie në festivalin tonë është një vlerë që i shtohet festivalit”, tha Manjola Bushati.
“Ndihem krenare për një kori të mrekullueshëm të fëmijëve, për çdo këngë që ka ardhur, por mbi të gjitha ndjehem krenare për një staf të përkushtuar dhe të mrekullueshëm që ka qendra kulturore dhe që ka pikërisht ky festival”, Orieta Kelaj.
Festivali u zhvillua gjatë tre netëve (30 maj – 1 qershor), duke përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në total konkurruan 30 këngë (19 në kategorinë Junior dhe 11 në kategorinë Të Vegjlit).
Tre netët e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë sollën atmosferë festive në Shkodër, ku në skenë u prezantuan krijime të reja nga artistët e vegjël.
Me interpretime live, ngjyra dhe emocione, festivali dhuroi tre mbrëmje të veçantë për publikun dhe teleshikuesit e RTSH-së.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/