Java e kulturës italiane në Gjirokastër, artistët italianë dhurojnë një mbrëmje jazzi për artdashësit

Gjirokastra prej vitesh po bëhet pjesë e aktiviteteve që zhvillohen në Shqipëri me rastin e festës kombëtare të Italisë.
Këtë vit ato nisën me një koncert të muzikës xhaz i cili u mbajt në skenën e teatrit të qytetit të gurtë. Artdashësi shijoi ritmet e kësaj muzike interpretuar nga dy artistët sicilianë Karlo Alberto Proto dhe Xhovana Magro.
Java e Kulturës Italiane organizohet nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë dhe Konsullata e Nderit e Italisë në Gjirokastër, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë Gjirokastër.
“Bashkëpunimi midis Italisë dhe Gjirokastrës po thellohet në disa fusha ku do të thoja më shumë kultura, pikërisht turizmi italian është ai që mbizotëron prej vitesh edhe në Gjirokastër. Kjo festë është një festë e cila është në vendin e saj dhe me shumë arritje përsa i përket bashkëpunimit midis Gjirokastrës dhe Italisë”, Teodor Bilushi, Konsulli italian i nderit në Gjirokastër.
Aktivitete të tjera pritet të organizohen në Gjirokastër në kuadër të 80 vjetorit të republikës italiane dhe javës së kulturës italianë në Shqipëri.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/