Gonzato: KLSH, institucion i pavarur dhe sipas praktikave më të mira ndërkombëtare

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mbajti fjalën e tij të rastit në aktivitetin për 100 vjetorin e Kontrollit të Lartë të Shtetit që u mbajt në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Ambasadori Gonzato u shpreh se fakti që ky institucion u krijua pas pavarësisë dëshmon rëndësinë e madhe që ka një institucion i Kontrollit të Lartë të Shtetit për funksionimin e një shteti modern. Sipas Gonzatos, gjatë 100 viteve të fundit, por sidomos gjatë 10-vjeçarit të fundit KLSH ka ecur përpara duke u zhvilluar si një organ kombëtar i kontrollit fiskal dhe si një institucion i pavarur në përputhje me praktikat më të mira të auditimit ndërkombëtar.
“Çelja e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe në veçanti çelja e grup-kapitujve Themeloret në tetor 2024 janë momente kyçe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Roli dhe funksionimi i KLSH-së mbulohet në mënyrë të posaçme nga kreu 32 i kontrollit financiar, pjesë e grup-kapitullit të Themeloreve të negociatave. Roli i KLSH shkon përtej këtij kreu, të legjislacionit të BE-së pasi luan një rol kyç në vlerësimin që i bëjnë sundimin të ligjit dhe demokracisë, por edhe integrimit dhe luftës kundër korrupsionit”, tha ai.
“Legjislacioni evropian kërkon që institucionet e KLSH-së të jenë të pavarura, me burimet e duhura dhe me mandatin e duhur për të bërë kontrollin e të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve të fondeve publike, përfshirë edhe atyre të BE-së dhe donatorëve të tjerë. Jemi të kënaqur që shohim dispozitat e duhura, edhe për ligjin e KLSH-së këto përmbushin shumicën e kërkesave themelore”, pohoi Gonzato.
Ambasadori i BE-së në Tiranë theksoi faktin se po bëhen diskutime për të harmonizuar disa dispozita, por cilat do qofshin ndryshimet, ato duhet të bëhen në përputhje të plotë me legjislacionin evropian dhe standardet ndërkombëtare që aplikohen në institucione të Kontrollit të Shtetit.
Gonzato përgëzoi drejtuesin e institucionit të KLSH-së për përpjekjet për të zbatuar standardet ndërkombëtare, për të fuqizuar kapacitetet e tyre si edhe për të pasur perfomancën e duhur në kontrollet financiare.
“Dhe fakti që na keni kërkuar që ne të organizojmë një rishikim me homologë për metodat e kontrollit OECD/SIGMA tregon që ju jeni të angazhuar për të mësuar më shumë dhe për të përmirësuar punën tuaj. Një pjesë e suksesit të KLSH-së qëndron në përdorimin faktik të raporteve të këtij institucioni, së pari nga Kuvendi si pjesë e kontrollit të buxhetit dhe llogaridhënies, nga ekzekutivi në nivel qendror dhe vendor, për sa i përket gjetjeve, por edhe nga vetë qytetarët dhe shoqëria civile për raportet KLSH-së për t’i bërë pjesë të debateve”, cilësoi Gonzato.
“Funksionalizimi i nënkomisionit të Kuvendit në vitin 2024 për kontrollin e jashtëm është një zhvillim pozitiv. Ne shpresojmë që kjo do të japë kontributin e vet për mbikëqyrjen e Parlamentit dhe të sigurojë ndjekjen e rekomandimeve të kontrollit. Fakti që KLSH është e angazhuar për transparencën e treguar me raportimin publik dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile, si edhe roli i KLSH-së në parandalimin e mashtrimit dhe identifikimin e parregullsive në prokurimin publik dhe përmirësimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm është thelbësore për të krijuar një kulturë llogaridhënieje në administratën publike dhe më lejoni të theksoj rëndësinë e kësaj mendësie. Nuk bëhet fjalë për miratimin e ligjeve, apo për të dhënë rekomandimeve, por te ndryshimi i mendësisë”, u shpreh Gonzato.
Në fund të fjalës së tij, ambasadori Gonzato nënvizoi faktin se zbatimi i rekomandimeve të kontrollit dhe fuqizimi i mekanizmave të llogaridhënies do të jenë standarde shumë të rëndësishme që do të kontrollojnë për kreun 31 të legjislacionit të BE-së, por edhe për integrimit e plotë të menaxhimit të financave publike.
Gjatë veprimtarisë me rastin e 100-vjetorit të KLSH - Foto: Florian Abazaj 1 nga 8/a.f/