Gonzato: Shqipëria hapa të rëndësishëm për barazinë gjinore, sfidë zbatimi efektiv i ligjeve

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Përfaqësues të institucioneve shqiptare, trupit diplomatik dhe organizatave të shoqërisë civile u mblodhën në një aktivitet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku diskutuan mbi forcimin e aksesit të grave në drejtësi dhe sfidat që mbeten në luftën kundër dhunës me bazë gjinore në Shqipëri.
Konferenca e nivelit të lartë u organizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe UN Women në Shqipëri. Në aktivitet u diskutuan përparimin e bërë në lidhje me qasjen e grave në drejtësi në kontekstin e reformave të drejtësisë dhe angazhimeve ndërkombëtare. Aktiviteti u mbështet nga qeveria e Suedisë, me pjesëmarrjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Gjatë takimit u theksua se, megjithëse kuadri ligjor në vend është përmirësuar vitet e fundit, sfidë mbetet zbatimi efektiv i ligjeve dhe garantimi i mbrojtjes reale për gratë dhe vajzat që përballen me dhunë apo diskriminim.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në fjalën e tij theksoi se në nivel global po vërehet një prirje shqetësuese e regresit në çështjet e barazisë gjinore, fenomen që sipas tij reflektohet edhe në Shqipëri.
“Po dëshmojmë një fenomen shqetësues, një kthim pas sa i përket barazisë gjinore në nivel global, përfshirë edhe në Shqipëri. Dhuna fizike dhe verbale kundër grave mbetet një problem, i cili po amplifikohet gjithnjë e më shumë në botën online. Shumë gra ende përballen me diskriminim në punë, në shtëpi apo në hapësirën publike”, u shpreh Gonzato.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në aspektin ligjor, duke miratuar ligjin për barazinë gjinore dhe ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje.
“Këto janë arritje të rëndësishme, por prova e vërtetë tani qëndron te zbatimi i tyre efektiv”, theksoi ai.
Pjesëmarrësit në aktivitet vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e shoqërisë civile për të garantuar që gratë të kenë akses të plotë në drejtësi dhe mbrojtje nga çdo formë dhune apo diskriminimi.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të nismave ndërgjegjësuese për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke synuar forcimin e angazhimit institucional dhe shoqëror për avancimin e barazisë gjinore në vend.
1 nga 4/gj.m/j.p/r.e/