E Hënë, 2 Nëntor 2026

OSBE: Promovim i barazisë gjinore në jetën politike

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëria nënvizoi sot angazhimin për promovimin e barazisë gjinore në jetën politike.

Prezenca e OSBE-së ndau sot një deklaratë të përbashkët të grupit të punës për barazi gjinore dhe gratë në vendimmarrje, ku vlerësohen hapat domethënëse në çuarjen përpara të barazisë gjinore dhe fuqizimin politik të grave në Shqipëri.

“Vendosja e kuotës gjinore në Kodin Zgjedhor shënoi një hap historik drejt garantimit të përfaqësimit të barabartë të grave në vendimmarrjen politike. Përpara se të bëhej ky ndryshim, partitë politike nuk e kishin detyrim ligjor përfshirjen e grave në listat e kandidatëve të tyre. Falë përpjekjeve dhe avokimit të vazhdueshëm, këto arritje janë mbrojtur dhe konsoliduar në vitet që pasuan”, thuhet në këtë deklaratë.

Në deklaratë nënvizohet se 36 për qind e deputetëve të zgjedhur janë gra, duke reflektuar të njëjtin nivel përfaqësimi si në legjislaturën e mëparshme.

“Në vitin 2020, në ndryshimet e Kodit Zgjedhor u përfshinë të tjera rekomandime në mbështetje të barazisë gjinore, duke përmirësuar mekanizmat për zbatimin e kuotës dhe duke forcuar garantimin e përfaqësimit të drejtë të grave në funksionet e zgjedhura. Së fundmi, në korrik 2024, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshime të tjera për të ruajtur kuotën gjinore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Si rezultat, gratë ruajtën nivelin e përfaqësimit në parlamentin e ri, ku 36 për qind e deputetëve të zgjedhur janë gra, duke reflektuar të njëjtin nivel përfaqësimi si në legjislaturën e mëparshme”, vijon deklarata.

Këto arritje janë bërë të mundura falë përpjekjeve të koordinuara të një grupi të gjerë aktorësh.

Ndër palët kryesore të përfshira kanë qenë organizatat vendase të shoqërisë civile, së bashku me partnerët ndërkombëtarë.

Grupi i Punës për Barazinë Gjinore dhe Gratë në Vendimmarrje ka kontribuar në këto përpjekje duke krijuar sinergji ndërmjet aktorëve dhe duke forcuar zërin kolektiv në mbështetje të barazisë gjinore.

“Ndikimi i këtyre reformave ka qenë i prekshëm. Pas vendosjes së kuotës gjinore në 2015, përqindja e grave të zgjedhura në këshillat bashkiakë u rrit nga 12.5 për qind në vitin 2011 në 42 për qind në zgjedhjet vendore të vitit 2023, duke dëshmuar se reformat ligjore, të kombinuara me monitorim aktiv, mund të transformojnë përfaqësimin politik”, vijon deklarata për shtyp.

Grupi i Punës dhe partnerët e tij kanë kontribuar gjithashtu në forcimin e kapaciteteve, përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e fuqizimit politik të grave, duke ndihmuar kështu në sigurimin e qëndrueshmërisë së këtyre arritjeve.

OSBE konsideron thelbësore, që zërat e grave të dëgjohen dhe të vlerësohen në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, që ato të kenë akses të barabartë në burime dhe të mbrohen në mënyrë efektive nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore në politikë.

“Përvoja e Shqipërisë dëshmon se avokimi i qëndrueshëm, institucionet e forta dhe kuadri ligjor gjithëpërfshirës mund të sjellin ndryshime reale dhe afatgjata. Vullneti i vazhdueshëm politik dhe veprimi kolektiv mbeten thelbësorë për të siguruar që gratë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë dhe të sigurt në formësimin e së ardhmes demokratike të Shqipërisë”, thuhet në këtë deklaratë për shtyp.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›