Grabitja e xhiros së karburantit në Klos, arrestohen dy të rinj

Dy të rinj janë arrestuar nga policia, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësit të një pike karburanti në Klos dhe i kanë grabitur xhiron e turnit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:10 të datës 3 nëntor 2026. Sipas policisë, dy persona të paidentifikuar në atë moment kanë dhunuar punonjësin e karburantit, shtetasin S. M., dhe më pas i kanë marrë një shumë parash.
Pas hetimeve, në kuadër të operacionit të koduar “Koordinimi”, u identifikuan dhe u arrestuan dy autorët e dyshuar: J. L., 22 vjeç, banues në fshatin Dars të Klosit, dhe M. D., 21 vjeç, banues në Tiranë.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Mat, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe Komisariatet nr. 1 dhe nr. 6 në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dy të rinjtë kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim.a.b