E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gratë në politikë, mes përjashtimit nga media dhe “dhunës” online. Rekomandimet e ODIHR në vesh të shurdhër

Zgjedhjet në Shqipëri, si ato vendore, ashtu edhe ato parlamentare, gjithnjë e më shumë po kthehen në një tribunë përplasjesh online. Sa më e ashpër gjuha e politikanëve në fushata apo media tradicionale, aq më e madhe bëhet edhe beteja online, jo vetëm mes kandidatëve, por edhe mes mbështetësve të njërës apo tjetrës forcë politike.

Raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 gjen se kandidatet gra dhe vajza kanë pasur më pak hapësirë në mediat tradicionale, në raport me kandidatët burra.

“Kandidatet gra zhvilluan fushatë në të gjithë vendin, por patën vizibilitet të kufizuar në media”- thotë raporti, ndërkohë që mediat online mbetën medium i vetëm ku ato mund të zhvillonin fushatën e tyre.

Sipas një monitorimi të realizuar për zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, nga UN Women, në bashkëpunim me BIRN Albania dhe Rrjetin Barazi në Vendimmarrje, rezultatet e të cilit u publikuan në raportin “Narrativa Mediatike, Vizibiliteti, Pabarazia dhe Dhuna me Bazë Gjinore në Politikë gjatë zgjedhjeve të vitit 2025”, situata duket edhe më e qartë, por edhe më shqetësuese. Megjithëse kandidatet gra përbënin 38.7% të listave dhe arritën të fitinin 35% të vendeve të Parlament, ato zunë vetëm 16.4% të kohës në lajmet televizive.

Këto të dhëna tregojnë se përfaqësimi i grave në politikë nuk përkthehet gjithmonë në vizibilitet dhe ndikim të barabartë. Normat e dëmshme shoqërore, stereotipet gjinore, dhuna dhe abuzimi online, si edhe qasja e pabarabartë në burime, vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e grave.

Por zgjedhjet në Shqipëri, karakterizohen edhe nga një tjetër fenomen shqetësues. Sa herë që afrojnë zgjedhjet, në rrjetet sociale shfaqen një seri faqesh anonime, ndonjëherë të maskuara edhe si faqe memesh, të cilat nëpërmjet postimeve, shpesh edhe të sponsorizuara, synojnë të delegjitimojnë kandidatë të caktuar, duke i targetuar, vënë në qendër të sulmit dhe amplifikuar gjuhën linçuese ndaj tyre. Kur vjen puna tek kandidatet gra dhe vajza, gjuha ashpërsohet më tej, duke kaluar në komente me bazë gjinore apo komente seksiste që kanë për qëllim të zhvlerësojnë fushatën e tyre apo mesazhin që ato përcjellin.

Në zgjedhjet e fundit, kjo dukuri u shtua ndjeshëm. Shumë kandidate gra dhe vajza u përballën me linçime për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, duke u kthyer në objekt bullizimi për peshën, gjatësinë, pamjen fizike, bindjet politike, duke u akuzuar se janë aty vetëm si pasojë e lidhjeve të bashkëshortëve të tyre, duke u përpjekur të cënohej formimi i tyre intelektual apo mesazhi i tyre politik.

Situata bëhet edhe më shqetësuese, kur sulmet nuk vijnë vetëm nga profile anonime, por nga kandidatët kundërshtarë. Raporti i OSBE/ODIHR ka gjetur si të dhënë shqetësuese, se gjuha seksiste u përdor edhe nga kandidatet kundërshtarë ndaj kandidateve gra dhe vajza. “Disa garues përdorën gjuhë diskriminuese, përfshirë terma ofendues ndaj personave me aftësi të kufizuara kur u referoheshin rivalëve apo zgjedhësve. Në disa raste, u përdor gjuhë seksiste ndaj kandidateve gra dhe komunitetit LGBTQI.”- vëren me shqetësim raporti.

Në një panoramë të tillë, KQZ apo autoritetet shtetërore nuk morën masat duhura për të frenuar këtë problem, megjithëse edhe në raportin e OSBE/ODIHR të zgjedhjeve paraardhëse, ky shqetësim ishte ngritur si çështje që kishte nevojë për adresim. Për pasojë vëren raporti, gjuha e dhunës u amplifikua më tej në rrjetet sociale.

“Përdorimi aktiv i rrjeteve sociale online nga garuesit amplifikoi diskursin e ashpër konfrontues, ndërkohë që për identifikimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe manipuluese nuk u ngarkua asnjë autoritet.”- vëren OSBE/ODIHR
Po ashtu, nevoja për një rregullim ligjor të fushatës zgjedhore, gjithashtu problem i ngritur më herët, nuk u adresua në kohë për të shmangur pasojat nga kjo formë e gjuhës së dhunës.
“Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale nuk ishte i rregulluar me ligj dhe nuk u caktua asnjë autoritet për monitorimin e saj.”- thotë OSBE/ODIHR.

Pavarësisht se partitë politike dhe kandidatët u angazhuan të mos përdornin gjuhë të dhunshme ndaj kundërshtarëve politikë në rrjetet sociale, dhe pavarësisht se partitë politike nënshkruan një Kod Etik për Fushatat Elektorale, OSBE/ODIHR vëren me shqetësim se realiteti në terrenin online ishte krejtësisht i ndryshëm.

Pavarësisht se shumica e partive politike nënshkruan një Kod Etike për Fushatat Digjitale, disa kandidatë shpërndanë përmbajtje përçarëse ose manipuluese, ndërkohë që disa llogari palësh të treta raportohet se përdorën një sjellje të koordinuar joautentike në platformat online për të amplifikuar sulmet ndaj opozitës.”

Në Shqipëri, gjuha e urrejtjes është bërë një element i pandashëm në komunikimin politik të aktorëve, kandidatëve e që ka ndikuar edhe komunikimin e qytetarëve, duke krijuar klishe, stigma dhe epitete që përdoren fillimisht nga politikanët, e më pas merren dhe amplifikohen nga mbështetësit e tyre. Gjatë fushatave zgjedhore, vëzhguesit kanë konstatuar një tejkalim të gjuhës racionale politike, duke përfshirë denigrim, përçarje dhe fyerje publike, deri edhe në kufijtë e veprës penale, dhe ky është një problem i hershëm, që vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë thirrje të adresohet. Sipas një raporti të platformës së verifikimit të fakteve, Faktoje.al, për zgjedhjet e vitit 2021, 85% e diskutimeve politike karakterizohen nga gjuha e urrejtjes dhe denigrimi i rivalit politik.

Në dallim nga rajoni, ku gjuha e urrejtjes është e fokusuar te ndasitë etnike, në Shqipëri kemi të bëjmë me një tjetër realitet. Këtu, partitë politike shpesh përdorin retorikë agresive për të demonizuar kundërshtarët politikë dhe për të polarizuar elektoratin.

Raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe OSBE/ODIHR, për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021 në Shqipëri, theksuan se fushata elektorale u karakterizua nga një klimë e polarizuar politike, përdorim i gjuhës së urrejtjes në komunikimin politik, duke përfshirë sulme personale dhe diskreditim të kundërshtarëve politikë, veçanërisht ndaj kandidateve gra
Sipas një raporti të Zërit të Amerikës në vitin 2021, gjuha e urrejtjes shfaqet më tepër në politikë dhe, së fundmi, edhe në media, përmes ligjëratave, diskutimeve dhe formave të tjera si videot apo montazhet e shkurtra në rrjetet sociale. Kjo përhapje e gjuhës së urrejtjes në platformat online rrit rrezikun e normalizimit të saj në diskursin publik.

Në Raportin Përfundimtar për Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021, ODIHR thekson se “diskursi politik ishte i polarizuar dhe shpesh i karakterizuar nga akuza personale dhe gjuhë e ashpër”. Gjithashtu, në Raportin Përfundimtar për Zgjedhjet Vendore të 14 majit 2023, në faqen 22, ODIHR vëren se “fushata ishte e ashpër dhe e mbushur me akuza personale, duke përfshirë raste të gjuhës së urrejtjes”

Por pavarësisht këtyre paralajmërimeve të njëpasnjëshme, institucionet shqiptare nuk kanë marrë asnjë masë, situata sa vjen e bëhet më e vështirë, gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, stigmatizimi, gjuha seksiste ndaj grave dhe vajzave sa vjen e rritet, dhe në ç’do raport pasardhës, OSBE/ODIHR vë re rritje të dhunës online, ku viktimat kryesore, janë gratë dhe vajzat.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›