E Premte, 6 Nëntor 2026

Veliaj reagon nga qelia me video me AI: Më rrëmbyen e kërcënuan, sot miratova projektet për 15 çerdhe e kopshte në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia përmes një videoje të krijuar me inteligjencë artificiale, ku pretendon se pavarësisht arrestimit dhe mbajtjes në paraburgim, vijon të miratojë projekte për kryeqytetin.

Në reagimin e tij, Veliaj akuzon institucionet për atë që e cilëson si persekutim politik dhe shkarkim antikushtetues. Ai shprehet se është mbajtur në paraburgim prej 20 muajsh dhe se është transferuar nga një qeli në tjetrën pa dokumentacionin përkatës.

Pavarësisht kësaj situate, Veliaj thotë se ka miratuar projektet për ndërtimin e 15 çerdheve dhe kopshteve të reja në Tiranë, ndërsa thekson se gjatë administrimit të tij numri i objekteve të ndërtuara ose të projektuara në këtë kategori arrin në 130.

“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë të vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!”, shkruan Veliaj.

Reklamë

Ai shton se nuk do të heqë dorë nga prioritetet e tij, pavarësisht se ku mund të dërgohet.

“Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!”, shprehet ai.

Sipas listës së publikuar nga Veliaj, projektet parashikojnë ndërtimin e objekteve të reja në disa zona të Tiranës, mes tyre Don Bosko, Fresku, Kodra e Diellit, Liqeni i Thatë, Stacioni i Trenit, Tufinë, Tregu Elektrik, Fusha e Aviacionit, Zogu i Zi, Yzberisht dhe Astir, si dhe në Petrelë e Dajt.

Reagimi i plotë:

Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!

Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!

Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!

Këto janë kopshtet e çerdhet që kam miratuar sot:

Nj. 9, Kopsht, Don Bosko, 150 fëmijë

Nj. 12, Kopsht, Fresku, 150 fëmijë

Nj. 13, Çerdhe, Kodra e Diellit, 50 fëmijë

Nj. 9, Çerdhe, Don Bosko, 100 fëmijë

Nj. 13, Çerdhe, Liqeni i Thatë, 50 fëmijë

Nj. 9, Çerdhe, Stracioni i Trenit, 100 fëmijë

Petrelë, Kopsht, Daias, 16 fëmijë

Dajt, Kopsht, Tufinë, 33 fëmijë

Nj. 12, Kopsht, Sh. 17 Shkurti, 122 fëmijë

Nj. 1, Kopsht, Tregu Elektrik, 120 fëmijë

Nj. 7, Çerdhe, Fusha Aviacionit, 100 fëmijë

Nj. 7, Çerdhe, Dogana, 100 fëmijë

Nj. 7, Kopsht, Zogu i Zi, 150 fëmijë

Nj. 14, Çerdhe, Yzberisht, 100 fëmijë

Nj. 14, Çerdhe, Astir, 100 fëmijë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›