Grima pas shortit të Nations League: Objektivi ynë, të qëndrojmë në Ligën B - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare të vajzave, Armir Grima, ka vlerësuar se skuadrën kuqezi e pret një sfidë e vështirë në edicionin e ardhshëm të UEFA Women’s Nations League, ku do të përballet me Belgjikën, Serbinë dhe Rumaninë në Grupin B1.
Pas shortit të hedhur në Nyon të Zvicrës, Grima komentoi kundërshtarët në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke theksuar se skuadra ishte përgatitur për përballje me ekipe të forta.
“Ne e prisnim që të kishim ndeshje të forta dhe, ashtu siç e parashikonim, edhe shorti na rezervoi kundërshtarë të tillë. E dimë forcën dhe nivelin e ekipeve në Ligën B. Belgjikën e njohim, pasi jemi përballur me të para disa kohësh. E dimë forcën e Serbisë, ashtu si edhe nivelin e Rumanisë”, u shpreh Grima.
Trajneri nënvizoi se stafi do të punojë për të forcuar skuadrën dhe për të afruar lojtare cilësore, në mënyrë që Shqipëria të jetë konkurruese në këtë grup.
“Na pret një punë e vështirë. Po mendojmë të forcojmë sa më shumë skuadrën dhe të afrojmë në grup vajza sa më cilësore, pasi këto ndeshje kërkojnë një ekip të fortë për t’u përballur me kundërshtarët që kemi përpara. Objektivi ynë është të qëndrojmë në Ligën B dhe, gjatë ndeshjeve, të shohim se si do të shkojnë gjërat. Pse jo, të pretendojmë edhe diçka më shumë”, deklaroi ai.
Dy ndeshjet e para të këtij edicioni janë programuar për periudhën 23 shkurt – 6 mars 2027, ndërsa dy takimet e radhës do të zhvillohen nga 13 deri më 24 prill. Dy sfidat e fundit të grupit janë planifikuar për periudhën 7–15 qershor.
Në ditët në vijim pritet të përcaktohet kalendari i plotë i ndeshjeve, me datat, oraret dhe stadiumet ku do të zhvillohen përballjet.
/gj.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
