Gruaja ngujohet në banesë, s’i hap derën policisë dhe pronares së shtëpisë

Në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”, familja Aliaj ankohet se qiramarresja, Edjona Hoxha nuk ka respektuar kontratën e qiradhënies për një apartament. Kontrata u nënshkrua në 2023-shin, me qira mujore 430 mijë lekë të vjetra, por Edjona Hoxha ka paguar vetëm 33 mijë e 600 dhe 170 mijë lekë dhe disa muaj nuk ka paguar fare.
Qiramarrësja i ka justifikuar vonesat me mungesën e një llogarie bankare, por pronarja thotë se kjo është vetëm një pretekst.
“Kam dhënë një banesë me qira te ‘Komuna e Parisit’ në gusht të vitit 2023. Kemi bërë një kontratë qiraje prej 43 mije lekësh dhe i thashë që do i kalosh në numrin e llogarisë. Muajin e parë më kaloi 43 mijë, muaj e tjerë 33 mijë, 33 mijë e 600… Asnjë muaj nuk e ka paguar të plotë, ka shkelur pikën e kontratës që muajin e parë. Ka disa muaj që rri në apartament, por nuk paguan qiranë. Pretendimi i saj është që duhet ti rinovoj numrin e llogarisë. Nuk ia rinovoj sepse ishte shumë e parregullt me dritat dhe ujin, kishte nga 6 muaj pa i paguar. I kam shkuar edhe me polici dhe nuk del nga shtëpia. Ia jam drejtuar gjykatës, të më paguajë të gjitha detyrimet që më ka. Të dalë jashtë nga shtëpia”, tha denoncuesja.Gazetarja e “Stop” shkoi në banesë, për të biseduar me Edjona Hoxhën, por ajo nuk pranoi të hapë derën, duke pretenduar, se për këtë çështje, është në gjyq.
Edhe kur erdhi Shefi i Rendit, Arben Bakalli, ajo sërish nuk e hapi derën. Në komisariat u paraqit avokati i saj, i cili mbrojti klienten, megjithëse pranoi se ajo ishte në shkelje të kontratës.
Duke qenë se Komisariati nr.2 dhe as përpjekjet e “Stop” nuk sollën zgjidhje, avokati i palës ankuese Enea Cenko, kërkon nga Gjykata Civile, që të përshpejtojë procedurat dhe të nxjerrë vendim për lirimin e apartamentit dhe pagesën e qirasë së prapambetur.