Mjeku infeksionist: Virozat stinore janë në pikun e tyre, pritet rënie pas janarit

Gentian Stroni, mjek infeksionist, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, deklaroi se ndodhemi në kulmin e qarkullimit të virozave stinore, një situatë e përsëritur pothuajse çdo vit në këtë periudhë.
Sipas tij, virozat kanë nisur të shfaqen në masë që në fund të dhjetorit, ndërsa piku i tyre arrihet në fund të muajit janar, për të vijuar më pas me një trend në rënie. Ai shtoi se, aktualisht po qarkullojnë disa viroza stinore, ku përfshihet gripi i tipit A me dy nën-tipet e tij, gripi i tipit B, një pjesë e rasteve me COVID-19, si edhe viroza të tjera respiratore.
“Ne kemi fillimin e këtyre virozave në masë, në fund të ditëve të dhjetorit, arrin pikun në fundin e janarit dhe ka trend ulje më mbrapa.
Aktualisht po qarkullojnë disa viroza stinore. Ndodh të jenë pothuajse çdo vit e njëjta situatë. Kemi influencë gripi me tipin A me dy nëntipet e tij, kemi një tip B dhe një pjesë të COVID. Ka dhe disa viroza të tjera.
Përgjithësisht këto janë çfarë ndodh që popullata po preket në këto momente”, deklaroi ai.
Mjeku theksoi se simptomat janë pothuajse të njëjta për të gjitha këto viroza, duke e bërë të vështirë dallimin e tyre, jo vetëm për qytetarët, por shpesh edhe për mjekët, vetëm në bazë të shenjave klinike.
“Qytetarët nuk e kanë mundësinë ta dallojnë se çfarë viroze kanë. Edhe për ne mjekët është e vështirë të bëhet gjetja e një lloji apo e llojit tjetër vetëm me simptomat. Shehnjat janë të njëjta, ajo që është problematike, është që në fillim transmetohet përmes rrugëve respiratore dhe ato më pas japin problematika në rrugët e poshtme respiratore.
Shenjat nisin njësoj, me rrufë, hundë të zëna, dhembje koke, rritje të temperaturës, shenja që janë njësoj në të gjitha shtamet”, tha Stroni.
Mjeku infeksionist sqaroi se, pavarësisht pamundësisë për të bërë diferencim vetëm përmes simptomave, trajtim është i njëjtë për të gjitha virozat. Ai rekomandoi konsumimin e lëngjeve në sasi të bollshme, ushqime të pasura me fruta të stinës dhe vitaminë C, si dhe qëndrim të ngrohtë dhe trajtim në kushte ambulatore.
Sipas Stronit, këto masa ndihmojnë jo vetëm në lehtësimin e simptomave, por edhe në ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksioneve.
“Më mbrapa në komplikacionet e tyre mund të shkojnë drejt prekjes së rrugëve të poshtme të frymëmarrjes dhe nis kolla e prekja e bronkeve. Nuk bën dot diferencimin, por e mira është që në të gjitha rastet mënyra e trajtimit të këtyre virozave është e njëjtë.
Normalisht ne nisim me lehtësimin e shenjave, nga lëngjet me sasi, kur janë të pasura me frutat e stinës dhe vitaminën C dhe qëndrimi ngrohtë dhe në kushte ambulatore. Në këtë lloj mënyre bëhet dhe ndërprerja e zinxhirit të transmetimit”, përfundoi mjeku.
/rtsh.al/