Rama publikon investimin e ri në Ishëm: Shkollë dhe kopsht modern për fëmijët e komunitetit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga një investim i ri arsimor në njësinë administrative të Ishmit, Durrës, ku po përfundon ndërtimi i një shkolle të mesme të bashkuar dhe i kopshtit “Rexhep Mezini”.
Objekti i ri, i ndërtuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian, do të ofrojë mjedise moderne, të sigurta dhe frymëzuese për nxënësit dhe fëmijët e komunitetit.
“Ky është një hapësirë arsimore e projektuar për të mbështetur procesin mësimor dhe zhvillimin gjithëpërfshirës të fëmijëve,” u shpreh Rama, duke theksuar se klasat e reja, hapësirat sportive dhe ambientet digjitale do të krijojnë kushte optimale për mësim dhe zhvillim.
Investimi është realizuar me mbështetjen e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FShZh), si pjesë e përpjekjeve për të forcuar infrastrukturën arsimore dhe për të garantuar standarde evropiane në arsimin publik.
/rtsh.al/