E Martë, 3 Nëntor 2026

Grupi i dialogut, Çupi: Nuk ka vullnet politik nga PS për ta çuar përpara Reformën Zgjedhore

Deputetja demokrate, Dhurata Çupi, njëherazi anëtare e grupit të punës për reformat, akuzoi Partinë Socialiste se nuk ka vullnet politik për ta çuar përpara Reformën Zgjedhore.

Në studion e RTSH-24, Çupi tha se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, edhe pse maxhoranca socialiste e refuzon këtë propozim të tyre.

“Koalicionet kanë qenë të miratuara dhe të gjithë pranuara deri në vitin 2013 dhe pas vitit 2013, me ardhjen në pushtet të PS, jemi kthyer pas në mosnjohjen e koalicioneve parazgjedhore që praktikisht do të thotë edhe bllokimin e rrotacioneve politike, që në një shoqëri demokratike janë të domosdoshme. Qëllimi i grupit të dialogut politik është që të shtrojmë problematikat dhe të zgjedhim më të mirën për popullin shqiptar. Ne nuk mund të pranojmë për interes të një partie që të qëndrojë në pushtet reforma të thella zgjedhore. Ne kemi çështjen e koalicioneve, kemi adresimin në këtë reformë edhe të problematikave të OSBE-ODIHR.

Ne jemi të gatshëm të qëndrojmë 24 orë dhe të adresojmë problematikat, por nuk mund të deklaroj që ka vullnet nga ana tjetër. Ne jemi ulur dhe kemi diskutuar, por është refuzuar koalicioni parazgjedhor apo të merret në shqyrtim çështja e referendumeve, çështja e votës së diasporës. Ky pushtet kërkon të fitojë zgjedhjet në tavolinë”, u shpreh Çupi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›