Grupi parlamentar i PD, kërkesë për mocion me debat për programin qeverisës

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar në emër të grupit parlamentar një mocion me debat mbi prioritetet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike.
Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në letrën drejtuar Kuvendit, është e domosdoshme që Kuvendi të zhvillojë një debat, për një çështje të veçantë, siç është bilanci i Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe programi politik qeverisës në periudhën në vijim.
Në shkresë, theksohet gjithashtu se efikasiteti i qeverisjes është i lidhur drejtpërdrejtë me integritetin e ministrave të emëruar.
“Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontakte me elementë të krimit të organizuar”, thuhet në shkresën e PD.
Seanca e fundit plenare, ajo e datës 18 shtator ku pritej të paraqitej dhe të diskutohej programi qeverisës u mbyll për 25 minuta pas tensioneve dhe dhunës së deputetëve të opozitës.
Gjatë seancës, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi që të kalohej menjëherë ne procesin e votimit për shkak se opozita pengoi fjalën e kryeministrit Edi Rama për prezantimin e programit qeverisës dhe përbërjen e qeverisë.
/m.q/j.p/