MEPJ: Shqipëria nuk u citua nga kryediplomatja e Ekuadorit në OKB

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot, pas disa lajmeve që qarkulluan gjatë ditës në medie, lidhur me një deklaratë të ministres së Jashtme të Ekuadorit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Zyra e shtypit pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehet në njoftim se “ka ndjekur keqinformimin e disa medieve online gjatë ditës së sotme, mbi faktin plotësisht të pavërtetë të përmendjes së Shqipërisë apo shqiptarëve, në fjalën kombëtare të Ekuadorit, nga Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.
“Ky është një fakt tërësisht i sajuar, pa asnjë vërtetësi, pasi as Shqipëria dhe as shqiptarët nuk përmenden në këtë fjalim, i cili është publik, i aksesueshëm në faqen zyrtare të OKB-së”, thuhet në njoftim.
Sipas reagimit të MEPJ, “fjala e ministres mund të lexohet nga çdokush që nuk përpiqet të keqpërdorë këto forume të larta ndërkombëtare duke sajuar fakte të paqena, për të ulur dinjitetin, reputacionin dhe imazhin që Shqipëria ka ndërtuar me sukses në arenën ndërkombëtare”.
/e.i/r.e/a.f/