Haddad: Bashkëpunimi mes vendeve tona, orientim drejt të ardhmes së Shqipërisë në BE

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, gjatë aktivitetit për inaugurimin e “Art Explora Festival” sot në Durrës, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, u shpreh se Shqipëria dhe Franca përmes shembujve të bashkëpunimit japin një orientim drejt të ardhmes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Është vërtet kënaqësi e madhe nën këtë diell të mrekullueshëm të jemi këtu në përurimin e festivalit “Art Explora”. Dje ishim në përurimin e Vilës 31 që nxjerr në pah artistët, sikurse sot në këto ditë u theksua shndërrimi dhe shpejtësia e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së dhe mënyra sesi përmes shembujve të bashkëpunimit mes vendeve tona bashkëjetojnë dialogu, kujtesa e Shqipërisë dhe orientimi i saj drejt të ardhmes dhe drejt Evropës”, tha ai.
Ministri francez për Evropën cilësoi se dje gjatë aktivitetit për inaugurimin e Vilës 31, lidhur me historinë e saj dhe ambicien për të kontribuar në art përmes marrjes së rrezikut, sot vjen një tjetër dëshmi e trashëgimisë kulturore të Mesdheut, siç është edhe “Art Explora”, anija-muze që ka mbërritur tashmë në Durrës.
“Ky det më shumë ka bashkuar sesa ka ndarë njerëz. Është deti më evropian ndër dete, por ende sot është burim tragjedish. Unë gjithashtu u impresionova shumë nga pikturat e të rinjve, emigrantët e rinj të Mesdheut me dëshminë që më tregove, Frederic. Një fëmijë që thoshte: “Mesdheu është blu, por për ne është me ngjyrë të kuqe”. Përmes këtyre historive ndërtohet dhe kujtohet se çfarë është trashëgimia jonë e përbashkët, dialogu mes historisë, kujtesës etj.”, vijoi Haddad.
“E pashë edhe te Piramida, dikur një mauzoleum që u përurua me ekipin e Shkollës 42, përmes inovacionit, digjitalizimit, transformimit mjedisor punojmë bashkë në këtë rrugë evropiane. Kur shoh këto tre flamuj bashkë, atë shqiptar, francez dhe evropian buzë Mesdheut më duket diçka e mbinatyrshme”, përfundoi ai.
/a.f//r.e/