Halil Sanço, orëndreqësi i vetëm në Maliq

Në qytetin e Maliqit, profesioni i orëndreqësit vazhdon të mbahet gjallë falë pasionit dhe dëshirës për punë të Halil Sanços.
65-vjeçari i lindur dhe rritur në Maliq vazhdon te ushtrojë zanatin e orëndreqësit prej 30-vitesh dhe është orëndreqësi i vetëm në Maliq.
Puna e tij ka nisur në rrugë duke nderuar bateritë e orëve e duke përfunduar me punishten e tij ku ushtron aktivitetin prej vitesh.
Megjithëse përfitimet nga ky profesion kanë qenë të pakta, Halili nuk ka menduar asnjëherë që ta braktisë atë. Madje ai ka dëshirë t’ja trashëgojë atë nipit të tij, duke ruajtur kështu traditën familjare.
“Është një profesion që të kënaq. Kam dëshirë t’ja trashëgoj nipit të vogël se atë e dua shumë”, u shpreh orëndreqësi.
Klientët e tij janë të moshave të ndryshme, por më besnikët janë ata, të cilëve ai u shërben prej shumë vitesh.
“E ku ka më bukur se të merresh me kohën, të rregullosh kohën e dikujt”-shprehet Halili duke dhënë kështu edhe një mesash për gjithë të rinjtë e Shqipërisë. ” Të rinjtë të merren me rregullimin e kohës”, shton ai.
Njerëzit që e duan punën si Halil Sanço janë të pakët. Kontributi që ai jep në qytetin e Maliqit kalon përtej kohës.
/rtsh/