E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hamasi liron 20 pengjet! Presidenti Trump mbërrin në Izrael, pritet nga kryeministri Netanjahu

Hamasi ka liruar 20 pengjet izraelite në Gaza. Në fillim u liruan 7 pengje dhe më pas grupi i dytë prej 13 pengjesh të cilët iu dorëzuan Kryqit të Kuq.

Ndërsa Hamasi përmbush fazën e parë të marrëveshjes, Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Izrael ku është pritur nga një delegacion i madh zyrtarësh, i udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe bashkëshortja e tij Sara.

Gjithashtu të pranishëm ishin Presidenti izraelit Isaac Herzog, ambasadori i SHBA-së në Izrael Mike Huckabee dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes përfundimtare të armëpushimit, së bashku me gruan e tij Ivanka Trump.

Gjatë kësaj vizite, presidenti Trump, do të nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit – nderi më i lartë civil i qeverisë izraelite – sipas zyrës së Presidentit izraelit, Isaac Herzog.

Çmimi njeh përpjekjet e Trump për të siguruar lirimin e 48 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

Gati 2,000 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë në Izrael do të lirohen gjithashtu si pjesë e fazës së parë vendimtare të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›