E Hënë, 2 Nëntor 2026

900 aksidente në Tiranë, shefi i Trafikut Urban të Tiranës paralajmëron ligj të ri për monopatinat elektrike

Që prej ditës së hënë, 13 tetor, Policia e Shtetit ka ndaluar përkohësisht qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugët e vendit.

Vendimi, i marrë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, vjen si reagim ndaj rritjes së ndjeshme të aksidenteve të shkaktuara nga përdorimi i këtyre mjeteve në hapësirat rrugore.

Në një intervistë për RTSH 24, shefi i Seksionit të Parandalimit dhe Sigurisë në Trafikun Urban të Tiranës, Joan Trungu, sqaroi se ndalimi do të jetë në fuqi deri në hartimin e një ligji të posaçëm për përdorimin e mjeteve elektrike.

“Kjo është një nismë për sigurinë e qytetarëve. Kemi kohë që merremi me problematikën e monopatinave, sidomos në rrugët kryesore. Lëvizja e tyre e ç’rregullt, jashtë korsive të dedikuara dhe në trotuare, ka sjellë rrezik të shtuar për këmbësorët,” u shpreh Trungu.

Duke përmenduar statistikat, Trungu, u shpreh se, “Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 janë regjistruar mbi 500 aksidente me monopatina elektrike, ndërsa deri në qershor të vitit 2025 numri ka arritur në 900, duke shënuar një trend shqetësues në rritje.”

“Për këtë arsye, është parë si e domosdoshme pezullimi i menjëhershëm i qarkullimit të tyre, deri në momentin kur të hartohet një ligj i qartë që përcakton kushtet e përdorimit,” tha Trungu.

Sipas Shefit të Trafikut Urban të Tiranës, ligji i ri pritet të përfshijë masa sigurie për përdoruesit, si përdorimi i kaskave mbrojtëse, sinjalistikë e detajuar për mjetet dhe kufizime të moshës.

“Një shqetësim i veçantë mbetet përdorimi i monopatinave nga të miturit, të cilët përbëjnë një pjesë të madhe të aksidenteve të raportuara. Që prej ditës së sotme, do të vijojmë me bllokimin administrativ të këtyre mjeteve për një afat 30-ditor. Nëse një person nuk disponon dokumentin e pronësisë së mjetit, ai do të sekuestrohet nga policia. Çdo qytetar ka të drejtë ta ankimojë vendimin në gjykatë,” sqaroi Trungu.

Ai shtoi se përveç monopatinave, do të bllokohen edhe patinat elektrike dhe mjetet me pedale që nuk kanë kufizim shpejtësie, pasi disa prej tyre arrijnë deri në 100 km/h.

“Hartuesit e ligjit do të marrin parasysh edhe vendosjen e një limiti të shpejtësisë për këto mjete,” përfundoi ai.

Duke iu referuar praktikave ndërkombëtare, Trungu tha se vende si Holanda e kanë ndaluar plotësisht përdorimin e monopatinave elektrike, ndërsa Italia, Franca dhe Lituania kanë miratuar ligje specifike që rregullojnë qarkullimin e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›