Hamza apelon për pjesëmarrje në zgjedhje: Çdo votë, vendim për të ardhmen e Kosovës

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet e 28 dhjetorit, nga ku iu bë thirrje qytetarëve për dalje masive në votim.
Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, tha se fushata zgjedhore ishte e mbushur me energji, ide dhe vizion për zhvillim, me synim hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, të bazuar në unitet, stabilitet dhe dinjitet.
Hamza premtoi rritje me 50% të pagave, pensioneve dhr dihmave sociale, duke theksuar se pensioni minimal do të jetë 250 euro.
Ai prezantoi edhe masa ekonomike zero për qind të TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë elektrike, si dhe ulje të tatimit në të ardhura.
Hamza theksoi se pa unitet nuk ka stabilitet, pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë, dhe pa qeverisje të mirë nuk ka paga më të larta, çmime më të ulëta dhe siguri për familjet.
Hamza tha se gjatë fushatës ka dëgjuar shqetësimet reale të qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.
“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua, por për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një ri-kapitullim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj… Tani jemi në momentin vendimtar. Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani, sepse çdo votë është përgjegjësi”, ka thënë Hamza.
Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dielën të dalin masivisht në votim dhe të votojnë numrin 130, duke theksuar se çdo votë është vendim për të ardhmen e familjeve dhe të Kosovës.
Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët dhe premtoi se PDK-ja do të sjellë paga më të larta, pensione dinjitoze dhe çmime më të ulëta nëse merr besimin e qytetarëve në zgjedhje./KosovaPress/