E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova kryeson për sigurinë ligjore, renditet e para në Europë për besimin te ligji dhe sigurinë publike

Kosova renditet e para në Europë për sigurinë publike dhe besimin në ligj. Ky është rezultat i reformave dhe angazhimit të institucioneve, thotë Kushtim Kaloshi, nga shoqëria civile.

“Sistemi i drejtësisë në përgjithësi ka pasur progres të vazhdueshëm. Progresi i viteve të fundit po reflektohet edhe jashtë vendit dhe tek investitorët e huaj. Ky është progres i jashtëzakonshëm, falë punës së institucioneve të drejtësisë së pari”, tha ai.

Ministria e Drejtësisë thotë se sundimi i ligjit mbetet prioritet kryesor i qeverisë. Gjykata Tregtare dhe ajo Administrative tani funksionojnë plotësisht dhe ndihmojnë bizneset të zgjidhin mosmarrëveshjet më shpejt. “Noterët dhe ndërmjetësimi janë mekanizma shtesë që lehtësojnë sistemin ligjor”, shprehet edhe Lulëzim Rafuna, Presidenti i Dhomës së Tregtisë.

“Ai motivacioni i parë për ta sjellë një investitorë të huaj në Kosovë, është një dëshmi që ke një sistem të sundimit të ligjit të pavarur dhe efektiv”, theksoi ai.

Prishtina po punon gjithashtu për krijimin e një gjykate rajonale arbitrazhi, me seli në Trieste, që do të rrisë stabilitetin dhe tërheq investime. David Piegazki nga Dhomat e Ballkanit Perëndimor thotë se kjo gjykatë do të ndryshojë situatën për investitorët. Reformat ligjore përfshijnë edhe konfiskimin e pasurive të pajustifikuara dhe procesin e verifikimit të gjyqtarëve. Qeveria synon të miratojë këto masa me shumicë të madhe në Kuvend. Kosova po tregon se sundimi i ligjit dhe siguria janë shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian. Ky progres reflektohet edhe në raportet ndërkombëtare dhe tek besimi i qytetarëve në institucionet ligjore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›