Vijon votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, KQZ: Deri në ora 09:00, kanë votuar mbi një mijë qytetarë

Këtë të shtunë, më 27 dhjetor, ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës në përfaqësitë diplomatike të vendit jashtë territorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencën për mediat, ka treguar se në 25 përfaqësi diplomatike ku edhe ka filluar procesi i votimit, dhe se deri në orën 09:00 nga 19 mijë e 187 votues, kanë votuar 1 mijë e 659 prej tyre.
“Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit që janë nga 25 përfaqësi diplomatike ku ka filluar procesi i votimit deri në ora 09:00 nga 19 mijë e 187 votues të regjistruar kanë votuar 8.64 për qind, apo një mijë e 659 prej tyre”, tregoi Elezi.
Ai ka treguar edhe se në përgjithësi janë 29 përfaqësi diplomatike.
“Numri i përgjithshëm i shtetaseve të Kosovës për të votuar në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës është 19 mijë e 187 votues. Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë gjatë ditës së sotme pasi në listën votuese që janë dërguar në këto përfaqësi janë vetëm emrat e shtetase që kanë zgjedhur këtë mënyrë të votimit”, tregoi ai.
Elezi ka treguar edhe kur dhe si nisi votimi në përfaqësi diplomatike.
“Procesi i votimit në ora 05:00 sipas kohës lokale në Kosovë ka filluar në konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll. Ndërsa në ora 07:00 po ashtu sipas kohës lokale në Kosovë votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi diplomatike që ndodhen në Evropë”, deklaroi Elezi.
PërveçTurqisë, votimi do të mbahet edhe në 15 shtete evropiane, ku janë të regjistruar gjithsej 17 mijë e 761 votues. Në mesin e këtyre shteteve janë Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, Norvegjia, Austria, Suedia, Sllovenia, Danimarka, Italia, Kroacia, Holanda, Republika Çeke dhe Hungaria.
Procesi do të përmbyllet në kontinentin amerikan, ku të drejtën e votës e kanë 1 mijë e 310 votues të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Për këtë qëllim janë hapur përfaqësitë diplomatike në Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto.
Në të njëjtën kohë me përfundimin e votimit në përfaqësi diplomatike, do të mbyllet edhe procesi i votimit përmes postës, i cili ka nisur më 16 dhjetor. Rreth 57 mijë e 899 votues kanë qenë të regjistruar për këtë formë votimi dhe kanë pasur afat 12 ditë për dërgimin e fletëvotimeve. Të gjitha votat e mbledhura, si nga votimi fizik ashtu edhe nga ai postar, do të dërgohen në Kosovë për t’u numëruar.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen ditën e nesërme, 28 dhjetor, dhe janë të dytat që zhvillohen brenda këtij viti.