Hapet programi i punësimit për profesionistët e rinj në industrinë e naftës

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi sot hapjen e programit të punësimit për profesionistët e rinj për vitin 2025, një iniciativë e rëndësishme që synon të ofrojë mundësi punësimi për të diplomuarit e rinj në sektorin e naftës dhe gazit.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të punojnë pranë Albpetrol, kompanisë shtetërore që menaxhon qendrat e prodhimit të naftës në Fier, Kuçovë dhe Gorisht, tre prej zonave kryesore ku zhvillohet prodhimi i hidrokarbureve në vend.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se ky program është pjesë për të mbështetur punësimin e të rinjve dhe për të fuqizuar sektorin e energjetikës, i cili ka një rëndësi të madhe në ekonominë kombëtare.
Ajo u bëri thirrje të rinjve që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për të fituar përvojë dhe për të kontribuar në zhvillimin e industrisë së naftës në Shqipëri.
Ky program përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit të të rinjve në tregun e punës dhe forcimit të një prej industrive kyçe të zhvillimit ekonomik të vendit, duke nxitur inovacionin dhe zhvillimin profesional në sektorin e naftës. /j.p/
