Riparimi i autostradës Tiranë-Qafë Kashar përfundon brenda vitit

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Punimet për riparimin dhe zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës po vijojnë me ritme të shpejta.
Inxhinierja e Sektorit të Menaxhimit të Projekteve pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Adja Sefa në një intervistë në medie bëri të ditur sot se aktualisht janë realizuar rreth 50% e punimeve fizike.
“Është punuar me ndërtimin e dy korsive të reja, në të dy anët e rrugës, ku konkretisht në anën e e majtë, drejtimi Tiranë-Durrës, është punuar edhe me realizimin e shtresave asfaltike. Për këtë qëllim trafiku i mjeteve duke ardhur nga qyteti i Durrësit drejt Tiranë, është devijuar në dy korsitë e reja të ndërtuara me qëllim vijimin e punimeve në korsitë ekzistuese”, theksoi Sefa.
Punimet në këtë arterie të rëndësishme për 6 km e para, nga Qafë Kashari drejt ish-sheshit Shqiponja dhe anasjelltas parashikohet të përfundojnë brenda këtij viti.
“Duke qenë se punimet kanë ecur me ritme të kënaqshme dhe pse afati kontraktual është shtatori 2026, pritet që punimet të përfundojnë brenda këtij viti, konkretisht në dhjetor”, theksoi Sefa.
Shumë shpejt pritet të nisë puna edhe për rikualifikimin e mbikalimit në Qafë Kashar, në mënyrë që të përballojë fluksin e automjeteve në 8 korsitë e autostradës.
Pas përfundimit shpejtësia e lejuar në autostradën e tipit “A” do të jetë deri në 130 km në orë. /j.p/