Hapet sistemi për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, afat deri më 31 mars

TIRANË, 22 janar /ATSH/ Qytetarët mund të dorëzojnë tashmë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025) përmes platformës online e-Filing. Afati i fundit për dorëzim është 31 mars 2026.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deklarata duhet dorëzuar nga ata që gjatë vitit 2025 kanë pasur pagë mbi 100 mijë lekë në muaj, të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë.
Po ashtu deklarata është detyrim edhe për të dypunësuarit, dhe për të gjithë ata individë që kanë realizuar gjatë 2025-ës të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim, të ardhura këto që mund të jenë fituar edhe nga platformat online si Meta, Facebook, YouTube, Google, Booking dhe AirBNB.
Për herë të parë këtë vit, nga baza e tatueshme e prindërve me fëmijë nën moshën 18 vjeç, krijohet mundësia e zbritjes së shumës 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.
Kjo zbritje do të aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, që duhet të ketë edhe pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë që do funksionojë për herë të parë këtë vit, janë vënë në dispozicion në buxhetin e shtetit 1.5 miliardë lekë.
Edhe qytetarët që nuk kanë detyrim ligjor për dorëzimin e DIVA mund ta bëjnë deklaratën për të përfituar këto përfitime.
Tatimpaguesit mund të kontrollojnë deklaratën e tyre të paraplotësuar në sistem dhe të aplikojnë për të gjitha zbritjet që u përkasin, duke e bërë procesin të shpejtë dhe të sigurt.
e.xh/j.p/