E Diel, 1 Nëntor 2026

PARIS – Franca sekuestron anijen cisternë nga Rusia me mbështetjen e Britanisë së Madhe

PARIS, 22 janar /ATSH/- Franca ka interceptuar një anije cisternë të sanksionuar nga Rusia, me mbështetjen e Britanisë së Madhe, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas BBC.

“Marina Franceze, këtë mëngjes, hipi në një anije cisternë të sanksionuar – që vinte nga Rusia dhe që dyshohej se mbante një flamur të rremë”, tha presidenti francez.

Duke njoftuar operacionin në X, Macron tha se anija ishte kapur në Mesdhe me ndihmën e Britanisë së Madhe.

“Ne jemi të vendosur të mbështesim ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojmë zbatimin efektiv të sanksioneve. Aktivitetet e “flotës hije” kontribuojnë në financimin e luftës së agresionit kundër Ukrainës”, tha Macron.

“Gjithashtu, është nisur një hetim gjyqësor dhe se anija cisternë është devijuar”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar presidentin francez Emmanuel Macron pasi ai njoftoi se Marina Franceze – në partneritet me Britaninë e Madhe – kishte sekuestruar një anije cisternë që vinte nga Rusia në Detin Mesdhe.

“Ky është pikërisht lloji i vendosmërisë së nevojshme për të siguruar që nafta ruse të mos financojë më luftën e Rusisë”, shkroi Zelensky në X.

“Anijet cisternë ruse që operojnë pranë brigjeve evropiane duhet të ndalen”, shtoi ai.

“Sanksionet kundër të gjithë infrastrukturës së “flotës hije” duhet të jenë të ashpra”, tha Zelensky. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›