E Hënë, 2 Nëntor 2026

Haxhiu: 256 mijë mjete, debitorë për taksën vjetore me vlerë 170 milionë dollarë

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Rreth 256 mijë mjete motorike rezultojnë debitorë për pagesën e taksës vjetore të mjetit.

Zv/drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Endri Haxhiu, deklaroi në një intervistë për mediat se vlera totale e detyrimit për këto mjete arrin në 170 milionë dollarë.

“Në total, rreth 256 mijë mjete motorike nuk kanë paguar taksën vjetore, ku 40% e tyre i përkasin periudhës 2012-2022, 16% janë për vitin 2023 dhe 44% për vitet 2024-2025”, theksoi Haxhiu.

Qarku i Tiranës mban përqindjen më të lartë të debitorëve, për shkak të numrit të madh të mjeteve në qarkullim në këtë zonë.

Mosshlyerja e këtij detyrimi penalizon qytetarët me kamatëvonesë dhe kufizime në marrjen e shërbimeve të ndryshme administrative për mjetet e tyre.

“Mjetet debitorë nuk mund të kryejnë shërbime të tilla si ndërrimi i pronësisë, kolaudimi, ndërrimi i targave, çregjistrimi i mjetit apo miratimi i xhamave të zinj”, sqaroi Haxhiu.

Nga debitorët, 86% janë individë, ndërsa vetëm 3% e mjeteve janë të kategorisë luksoze. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›