E Hënë, 2 Nëntor 2026

Helmimi i 56 studentëve, AKU: Kushtet e higjienës brenda në Akademinë e Sigurisë brenda normave. Zhbllokohet aktiviteti i kateringut

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se mostrat e marra për higjienën dhe pajisjet e punës në kuzhinat e Akademisë së Sigurisë në Sauk dhe të Garnizonit të Forcave të Armatosura kanë rezultuar brenda normave të lejuara, pas analizave të kryera në laboratorin e Referencës ISUV.

Procedura inspektuese u zhvillua pas rastit të helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilët përfunduan në spital për shkak të dyshimit për helmim nga ushqimi.

“Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë  me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave  për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së  Garnizonit, të Forcave te Armatosura. Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV , informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës. Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë”, njofton AKU.

Hetimet e mëparshme treguan se shkaku ishte makaronat, të cilat kishin nivele mbi normë të bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv. Si pasojë, aktiviteti i subjektit të kateringut u pezullua deri në kryerjen e pastrimit dhe dezinfektimit të ambienteve.

Bazuar në rezultatet pozitive të analizave të fundit, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL dhe i ka kërkuar atij të vazhdojë analizat e autokontrollit për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e  aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi”, njofton AKU.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›