Hetimet ndaj “TIBO”/ Reagon kompania: Nuk ekziston asnjë element i evazionit fiskal apo i pastrimit të parave

Prokuroria e Tiranës njoftoi mbylljen e hetimeve lidhur me kompanisë “TIBO” dhe drejtuesin e saj Adnand Mahmuti.
Ky i fundit dhe 5 bashkëpunëtorë në 5 kompani janë dërguar në gjyq me akuaz e mashtrimit, pastrimit të parave dhe shkeljeve të tjera financiare.
“Platformat e transmetimit TIBO dhe OVERSPORT, së bashku me disa shoqëri të lidhura, janë përfshirë në një skandal të rëndë mashtrimi, pastrimi parash, fshehje të të ardhurave dhe mospagim taksash“, njoftoi më herët Prokuroria e Tiranës.
Ndërsa sipas saj, në qendër të kësaj skeme qëndron Adnand Mahmuti, administrator dhe ortak në 5 kompani të këtij rrjeti.
LEXO EDHE: Skandali “TIBO”/ Mashtrim me 2.2 milionë euro, 6 persona dhe 5 kompani drejt gjyqit (EMRAT)
Pas publikimit të këtij lajmi, ka ardhur edhe reagimi i kompanisë.
Sipas saj, nuk ekziston asnjë element i veprës penale të mashtrimit, pasi marrëdhënia midis palëve ka qenë e bazuar në kontratë civile të rregullt, e nënshkruar me vullnet të plotë dhe të lirë nga të gjitha palët. Ndërsa të gjitha detyrimet kontraktore janë respektuar plotësisht
REAGIM ZYRTAR KOMPANISE TIBO
Në lidhje me publikimin e fundit në media, ku pretendohet për ekzistencën e veprës penale të mashtrimit dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme ndaj disa subjekteve, përfshirë shoqërinë TIBO dhe shtetasin Adnand Mahmuti, deklarojmë sa vijon:
Së pari, nuk ekziston asnjë element i veprës penale të mashtrimit, pasi marrëdhënia midis palëve ka qenë e bazuar në kontratë civile të rregullt, e nënshkruar me vullnet të plotë dhe të lirë nga të gjitha palët.
Të gjitha detyrimet kontraktore janë respektuar plotësisht, ndërsa:
• Pagesat janë kryer përmes kanaleve bankare zyrtare, të dokumentuara dhe të verifikueshme;
• Fondet e transferuara janë përdorur në përputhje të plotë me qëllimin e parashikuar në kontratë;
• Nuk ekziston asnjë element i evazionit fiskal apo pastrimit të parave, pasi burimi i fondeve është i ligjshëm dhe aktiviteti i shoqërisë TIBO është i regjistruar dhe i monitoruar sipas legjislacionit në fuqi.
Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se:
• Shtetasja në fjalë ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt në këtë marrëdhënie, madje edhe përmes djalit të saj si ortak dhe përfitues në shoqërinë përkatëse, çka përjashton çdo pretendim për mashtrim apo keqinformim;
• Shtetasi Adnand Mahmuti nuk ka mashtruar dhe nuk ka shpërdoruar në asnjë moment pozicionin e tij si garantor.
Në këto kushte, kualifikimi i kësaj çështjeje si penale, kur bëhet fjalë për një marrëdhënie kontraktore civile, përbën një gabim të rëndë juridik dhe procedural.