E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidrovoret në Shkodër në funksion të plotë, prezencë uji vetëm në Obot

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Situata në Shkodër pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit paraqitet më e qetë, ndërsa për ditën e sotme nuk janë regjistruar reshje shiu dhe temperaturat janë në rënie.

Prefektura e Shkodrën bën të ditur se nga strukturat vendore nuk raportohen problematika të Emergjencave Civile.

Në njësinë administrative Dajç të bashkisë Shkodër kuota e ujit është 6.20 m. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit nuk ka pësuar rritje dhe ndodhet nën kuotën kritike.
Në Urën e Bahçallekut, niveli i lumit Drin vlerësohet nën kuotën kritike, dhe ka patur rënie të nivelit.

Pranë fshatit Obot ku vijon të ketë prezencë uji në rrugën kryesore janë të dislokuara Forcat e Armatosura me 3 mjete të kalueshmërisë së lartë, të cilat prej disa ditësh po asistojnë banorët në kalimin e segmentit nën ujë.

Në territorin e Bashkisë Vau Dejës nuk evidentohen probleme të Emergjencave Civile. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim.

Në bashkinë Malësi e Madhe situata paraqitet e qetë. Gjatë natës nuk janë regjistruar reshje shiu dhe nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile për momentin.

Ka pasur tërheqje të ujit në zonën e quajtur Rreze e Veshtit, njësia administrative Kastrat, ku po punohet të lirohet aksesi i plotë.

Në bashkinë Pukë deri në këto momente nuk raportohen probleme apo situata të lidhura me Emergjencat Civile.

Në bashkinë  Fushë-Arrëz situata paraqitet e qetë dhe nuk janë raportuar probleme të Emergjencave Civile.

Sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, hidrovorët në Vilun dhe Casi vijojnë punën normalisht me kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga verifikimet në terren, argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit, si dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale.

Ndërkohë, lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, çka ka ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike.

Reparti Ushtarak Vau Dejës nr. 1010 (Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut) është i angazhuar në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit, bashkia Shkodër, me 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 8 efektivë.

Prefektura e Qarkut Shkodër është nën monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri me të gjitha strukturat përgjegjëse.

1 nga 3

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›