Hita: Policia e Vlorës, e paaftë. Drejtori i Përgjithshëm i heq licencat edhe dy kompanive private të sigurisë

Me drejtorin e ri të komanduar të qarkun e Vlorës në krah, kryepolici Skënder Hita foli me tone kritike për policinë lokale duke thënë se ishte një polici e fjetur dhe aspak profesionale, cka u dëshmua gjatë protestës në Zvërnec ku në sy të uniformave blu u dhunua dhe u mor zvarrë një qytetar nga rojet private.
Pas prezantimit të Edvin Ndreut, i cili do të zëvëndësojë drejtorin e shkarkuar të policisë së Vlorës Elidon Çela, Hita tha se është e pafalshme që policia nuk ndërhyri, ndërkohë që shtoi se hetimet vijojnë nga AMP dhe prokuroria.
“Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëroi të gjithëve. Prandaj, siç jeni në dijeni, kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë”, tha Hita.
Hita nuk u mjaftua vetëm me shkrirjen e drejtorisë së policisë në Vlorë, por gjithashtu masa ka marrë dhe për kompanitë private të sigurisë që kishin për detyre ruajtjen e pronës private në Zvërnec.
“Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF”, tha kryepolici.
Nga ana tjetër, Hita garantoi të drejtën e çdo qytetari për të protestuar, por theksoi se prona në fjalë në Zvërnec, është pronë private, ndaj pretendimet e tyre qytetarët duhet ti drejtohen gjykatës.
“Konkretisht, territori i rrethuar rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin. Prandaj përfitoj nga rasti t’u drejtohem qytetarëve që protestojnë, që çdo pretendim që kanë mbi pronën apo zhvillimin e saj, ta adresojnë në Gjykatë, sepse drejtësia jo forca e ndan kush ka të drejtë e kush jo në sistemin demokratik”, tha ai.
Ndërkohë këtë të hënë Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Gerald Bibën, i akuzuar për dhunimin e një qytetari gjatë protestës në zonën e Zvërnecit. Videoja kur protestuesi dhunohet dhe merret me force nga Geraldo biba dhe nje roje tjeter u shpërnda në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të menjëhershme.