E Martë, 3 Nëntor 2026

Hobdari: Farat autoktone, faktor në zhvillimin e agroturizmit

TIRANË, 19 qershor /ATSH/  Drejtorja e Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, Valbona Hobdari, tha se “ripërtëritja e farave autoktone në bujqësi, është mënyra e duhur për zhvillimin e një sistemi ushqimor të qëndrueshëm në vendin tonë”.

Në një intervistë televizive Hobdari, vuri në dukje se, vitet e fundit prodhimi i kulturave bujqësore me farat autoktone në Shqipëri po sfidohet nga varietet hibride, që iu sigurojnë fermerëve më shumë rendiment e për rrjedhojë më shumë fitime.

Në këto kushte, tha ajo, fokus i punës sonë është orientimi i fermerëve në përdorimin e farave autoktone, jo vetëm duke i vlerësuar ato si elemente të traditës shqiptare, por edhe si një mundësi zhvillimi ekonomik përmes agroturizmit.

Hobdari solli në vëmendje se në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe programin Giz, ka nisur pilotimi një vit më parë në 4 agroturizme, që sot janë zgjeruar në 12 agroturizme, të cilat marrin nga Banka Gjenetike fidanë autoktonë dhe këto prodhime bujqësore i kanë futur në menutë ushqimore.

Sipas saj, agroturizmet janë ato që do t’i japin jehonë dhe do të zgjerojnë kërkesën e konsumatorëve për prodhime bujqësore me fara autoktone.

“Varietet autoktone që ruhen në Bankën Gjenetike, që prej krijimit të saj në vitin ’98 e deri më sot, janë të një cilësie të lartë dhe ripërtëritja e tyre përmes kultivimit nga ana e fermerëve është një gjë shumë e rëndësishme, për të cilën janë angazhuar institucionet e linjës që ta diversifikojnë këtë proces në shkallë vendi”, theksoi Hobdari.

Ajo bëri të ditur se në Bankën Gjenetike gjenden 80% e farave autoktone shqiptare dhe farat më të vjetra janë ato të grurit, misrit, fasulja, domatja, speci, bizelja etj. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›