Karçanaj: Iniciativa globale Giga, hap strategjik për të përshpejtuar procesin e dixhitalizimit

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj zhvilloi një takim me Chris Fabian, një prej figurave më të njohura në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, bashkëthemelues i Giga-s, nismë globale e përbashkët e UNICEF dhe ITU, që synon të lidhë çdo shkollë dhe qendër shëndetësore në botë me internetin.
Në takim morën pjesë edhe Murat Sahin, përfaqësues i UNICEF në Shqipëri, dhe Mirlinda Bushati, specialiste për arsimin në UNICEF Shqipëri.
Sipas Karçanajt, Fabian ndau statistika mbresëlënëse për impaktin e Giga-s, që ka hartëzuar mbi 2.2 milion shkolla në afro 140 vende, duke përdorur teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale, kriptografia dhe instrumente financiare inovative për të ndihmuar qeveritë të ndërtojnë infrastrukturën digjitale arsimore.
Drejtuesja e AKSHI-t u shpreh se ndau me partnerët ndërkombëtarë disa nga projektet konkrete që po zbatohet në Shqipëri si 316 SmartLab-e të instaluara në 300 shkolla në të gjithë vendin, me 654 laboratorë të rinj në proces, për të arritur një total prej rreth 1000 shkollash, platforma SMIP, me mbi 1.3 milionë përdorues, mësues, nxënës dhe prindër që ka transformuar menaxhimin e sistemit arsimor me akses të menjëhershëm në nota, mungesa dhe ecuri, si edhe përfundimi i studimit të fizibilitetit për zgjerimin e rrjetit GovNet, me fokus fillestar lidhjen e shkollave dhe qendrave shëndetësore në të gjithë territorin.
“Ky takim forcoi bindjen se bashkëpunimi me iniciativa globale si Giga është një hap strategjik për të përshpejtuar procesin e dixhitalizimit në Shqipëri. Me përvojën tonë dhe mbështetjen e strukturave ndërkombëtare si UNICEF dhe ITU, mund të ndërtojmë ura të reja për zhvillim të qëndrueshëm, ku çdo fëmijë dhe çdo shkollë të ketë akses të barabartë në teknologji dhe arsim cilësor”, tha Karçanaj në një postim në rrjetet sociale.
Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj takim me Chris F... 1 nga 9/e.i/j.p/