E Enjte, 5 Nëntor 2026

Hodhën lëndë helmuese në Kuvend dhe kundërshtuan policinë, referohen në SPAK 7 deputetë të opozitës

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Policia e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) 7 deputetë të opozitës, të cilët shkaktuan kaos dhe dhunë brenda dhe jashtë Kuvendit ditën e djeshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi sot se në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit Elda Hoti, 32 vjeçe, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”.

Gjithashtu policia ka referuar në SPAK deputetët Flamur Noka, 53 vjeç, Bledjon Nallbati, 38 vjeç, Gazment Bardhi, 39 vjeç, Dashnor Sula, 55 vjeç, Luan Baçi, 61 vjeç, dhe Saimir Korreshi, 43 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Policia bëri të ditur se, ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E. H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi, dhe Saimir Korreshi, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›