E Hënë, 2 Nëntor 2026

Homazhe për gjyqtarin Kalaja, përfaqësues të drejtësisë: Më shumë siguri në gjykata

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë u zhvilluan sot homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën dy ditë më parë pasi u vra me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, teksa ndodhej në krye të detyrës.

Homazhet nisën në orën 09:00 dhe do të zgjasin deri në 11:00, pas së cilës trupi i pajetë i gjyqtarit do të përcillet për në banesën e fundit në Shkodër, qytetin e tij të lindjes.

Personalitete të drejtësisë, përfaqësues të institucioneve, deputetë, ministra të kabinetit, kolegë, miq dhe familjarë i dhanë lamtumirën e fundit gjyqtarit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi bëri homazhet në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja, ndërsa dha shkurt për mediat mesazhin se “gjyqtarët duan siguri, që të japin drejtësi”.

“Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme, siguria është në nivelin zero. E them me bindje të plotë dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë”, tha Sadushi.

Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Erjon Bani i cili mori pjesë në homazhe në një prononcim për gazetarët, ngriti shqetësimin për sigurinë në gjykata.

“Jeni dëshmitarë vet se konstatoni se siguria në 99% të gjykatave nuk i plotëson kushtet. Asnjë gjykatë nuk i plotëson kushtet e sigurisë pasi të gjitha gjykatat duhen ndërtuar nga fillimi që t’i protestojnë kushtet. Pa siguri të gjykatave nuk mund të ketë pavarësi të gjyqtarit në dhënien e vendimit.

“Kur flitet për sigurinë e gjykatave, nuk flitet vetëm për sigurinë e gjyqtarit, aktorët janë edhe prokurori, avokati, i pandehuri, gazetari që qëndron në sallë, palët e tjera, pra ky moment është moment reflektimi nëse nuk ekziston siguria në gjykatë kushdo ndihet i rrezikuar në jetën tij. Të gjitha gjykatat duhen ndërtuar nga e para, në dijeninë time ka pasur kërkesa për t’u ndërtuar nga e para. Nuk mund të lihen gjykatat në këtë situatë”, tha Bani.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia u shpreh se “vrasja e një gjyqtari, është vrasja e gjithë sistemit të drejtësisë”.

“Këtu duhet bërë një bojkot dhe të vësh alarmin në të gjithë sistemin”, u shpreh Haxhia.

Në homazhe morën pjesë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kreu i SPAK, Altin Dumani dhe të gjithë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme.

Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit më6 tetor. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›