E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxha: Krijojmë regjistër për Diasporën, bazë për politikat efektive

TIRANË, 6 prill /ATSH/  Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një intervistë televizive në lidhje me Samitin e katërt të Diasporës, theksoi se samiti këtë vit do të ketë fokus çështje ekonomike, sociale, kulturore dhe më gjerë, duke përfshirë diskutime për integrimin e diasporës në zhvillimin e Shqipërisë.

Ai nënvizoi se deri tani janë zhvilluar tre samite të mëparshme, ku secili ka shërbyer si hap për forcimin e lidhjes me diasporën dhe krijimin e mekanizmave të bashkëpunimit konkret.

Hoxha rikujtoi historikun e samiteve të mëparshme: i pari në 2019, për shkëmbimin e kontakteve dhe njohjen e komunitetit; i dyti në 2020, për ngritjen e ambicies dhe krijimin e Komitetit Koordinues për Diasporën; dhe i treti në 2023, i fokusuar në fusha konkrete dhe analizimin e lidhjes së diasporës me Shqipërinë.

Hoxha shpjegoi se qasja e këtij samiti është “jo për diasporën, por me diasporën”, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të komunitetit jashtë vendit në proceset vendimmarrëse dhe në ndërtimin e politikave efektive.

Samiti i katërt do të përmbajë 17 panele tematike, të udhëhequra nga vetë anëtarët e diasporës, që do të fokusohen në ekonomi, kulturë, art, kinematë dhe pjesëmarrjen e diasporës në procesin e integrimit europian. Ministri theksoi se gjatë samitit do të dëgjohen kritika dhe propozime konkrete nga komuniteti jashtë vendit, duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe diasporës.

Një tjetër fokus i samitit është krijimi i një regjistri të qartë të diasporës, që do të shërbejë si bazë për politikat efektive dhe për koordinimin më të mirë të aktiviteteve me komunitetin jashtë vendit.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›