E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha dhe Konjufca nga Prishtina: Shqipëria dhe Kosova të intensifikojnë koordinimin diplomatik e strategjik

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, theksuan sot nevojën për forcimin e koordinimit ndërmjet dy vendeve përballë sfidave gjeopolitike dhe zhvillimeve në rajon.

Në një konferencë të përbashkët për mediet në Prishtinë, dy kryediplomatët vlerësuan bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit diplomatik, integrimit euroatlantik dhe mbështetjes së përbashkët për diasporën shqiptare.

Konjufca u shpreh se në kushtet e paqëndrueshmërive globale, bashkëpunimi mes dy shteteve është një domosdoshmëri strategjike.

“Në diskutuam për një varg çështjesh në interesin tonë të përbashkët. Në këto kohë paqëndrueshmërish globale, koordinimi mes shteteve tona është një domosdoshmëri jetike. Ne duhet ta promovojmë rolin tonë si faktorë të stabilitetit në rajon”, deklaroi ai.

Konjufca theksoi se zgjerimi i NATO-s në rajon ka kontribuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për avancimin e Kosovës në këtë proces.

“Krahas orientimit eurointegrues të shteteve të rajonit, anëtarësimi në NATO i shumicës së shteteve në rajonin tonë ka qenë faktor stabiliteti. I kërkova ministrit Hoxha mbështetjen për një përshpejtim të anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha Konjufca.

Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në mbështetje të diasporës dhe në fushën e arsimit.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë për mbështetjen e mërgatës shqiptare kudo në botë. Përtej abetares duhet të shkojmë drejt unifikimit të sistemeve tona arsimore”, u shpreh Konjufca.

Nga ana e tij, ministri Ferit Hoxha e cilësoi Kosovën prioritet absolut të politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Kosova ka qenë pjesë e pandarë e tryezës sime në 36 vite të karrierës sime diplomatike. Ndihem thellësisht i emocionuar të jem në Prishtinë në këtë vizitë të parë në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, deklaroi Hoxha.

Ai tha se bisedimet mes dy delegacioneve u zhvilluan në një frymë vëllazërore dhe me fokus forcimin e bashkëpunimit strategjik.

“Diskutimet që patëm sot ishin të hapura, të sinqerta, vëllazërore. Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Ramë dakord që dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Europë kërkojnë një intensifikim të mëtejshëm të koordinimit ndërqeveritar dhe diplomatik”, tha Hoxha.

Sipas tij, të dyja palët u angazhuan për përgatitjen e takimeve të ardhshme dhe për thellimin e bashkëpunimit institucional.

“U angazhuam për përgatitjen e takimeve të radhës. Bashkëpunimi ynë duhet të përkthehet në më shumë lehtësi dhe më pak burokraci. Diskutuam për rritjen e koordinimit të ministrive tona të jashtme në të gjitha nivelet, përfshirë përfaqësitë diplomatike”, deklaroi Hoxha.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›