Ministri Hoxha pritet nga Albin Kurti

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u prit sot në Prishtinë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Kosovë.
Takimi me kryeministrin Kurti vjen pas takimit që ministri Hoxha zhvilloi më herët me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Vizita zyrtare e ministrit Hoxha do të vijojë me takimin me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Sipas agjendës zyrtare, dy ministrat e jashtëm do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ministri Hoxha do të zhvillojë takime edhe me drejtues dhe përfaqësues të partive politike në Kosovë, mes të cilëve Bedri Hamza, Ardian Gjini dhe Lumir Abdixhiku.
Në kuadër të vizitës zyrtare, kreu i diplomacisë shqiptare do të zhvillojë gjithashtu një takim në bazën e KFOR-it me komandantin e misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, si dhe me pjesëtarët e kontingjentit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë të angazhuar në misionin paqeruajtës në Kosovë.
/gj.m/r.e/