Humb jetën 61-vjeçari nga Durrësi në Itali, ndërtuesi shqiptar shtypet nga porta rrëshqitëse gjatë punës

Aktualitet | 41 minuta më parë
Një aksident me pasojë vdekjen e një sipërmarrësi shqiptar ka ndodhur këtë mëngjes në Itali, në qytetin e Casarano-s. Viktima është identifikuar si shtetasi Bashkim Rushani, 61 vjeç, i lindur në Durrës dhe me banim në Casarano. Rushani ishte pronar i shoqërisë me pronësi të vetme “Bashkim”, e cila operonte në sektorin e ndërtimit në zonë.
Ngjarja e rëndë u shënua në lagjen Spagnolo të Casaranos, gjatë kohës kur 61-vjeçari po punonte në një banesë private. Sipas të dhënave paraprake, “ai u shtyp nga një portë rrëshqitëse që po lëvizte” gjatë procesit të punës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës, por megjithë ndërhyrjen e shpejtë, “përpjekjet e shpëtimit ishin të pasuksesshme”, duke konfirmuar ndërrimin e jetës së 61-vjeçarit. Autoritetet vendore kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti fatal në punë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.