E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zbulohet krimi brenda familjes në Bulqizë, Urim Fiku u vra nga gruaja dhe djali, raportuan se e sulmoi një ari! Arrestohen të dy familjarët

Urim Fiku u raportua fillimisht se kishte humbur jetën pas sulmit nga një ari në fshatin Godvi të Bulqizës, por hetimet zbuluan të vërtetën tronditëse: ai dyshohet se është vrarë nga bashkëshortja dhe djali i tij.

urim fiku bulqize

Policia ka ndaluar dy familjarët, 57 dhe 33 vjeç, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Gjatë hetimeve u sekuestrua një pistoletë model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë e gjetur në oborrin e banesës.

Ngjarja ndodhi më 3 nëntor, ndërsa zbardhja e saj u bë e mundur pas hetimeve intensive të Policisë së Dibrës dhe Prokurorisë. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale të vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare dhe armëmbajtjes pa leje.

Njoftimi i policisë:

DVP Dibër/Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Godvi, Bulqizë, ku fillimisht u raportua se një shtetas kishte humbur jetën pas sulmit nga një kafshë e egër.

Arrestohen bashkëshortja dhe djali i tij, të dyshuar për vrasjen e tij me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse.

Më datë 04.11.2026, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, pas një hetimi intensiv, u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 03.11.2026, në fshatin Godvi, Bulqizë.

Fillimisht, familjarët e shtetasit U. F. raportuan se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një kafshë e egër (ari), por nga hetimet e kryera dhe ekzaminimet mjekoligjore rezultoi se ky shtetas ishte vrarë me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi i shtetasve:

* S. F., 57 vjeçe;

* G. F., 33 vjeç;

të dy banues në fshatin Godvi (përkatësisht bashkëshortja dhe djali i shtetasit U. F.).

Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse shtetasin U. F.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, model 54, me fishekë, si dhe një gëzhojë pistolete, e gjetur në oborrin e banesës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›