E Hënë, 2 Nëntor 2026

Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Ndezi zjarr në kopshtin e banesës dhe i doli jashtë kontrollit

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Policia e Elbasanit bëri të ditur sot se nga vatrat e zjarreve në Gramsh ka humbur jetën një 80-vjeçar.

Përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi më pas se është konfirmuar nga organet ligjzbatuese se ngjarja e rëndë e ditës së sotme në Gramsh, e cila ka shkaktuar situatën e emergjencës me zjarret në disa zona të bashkisë, ka ardhur si pasojë e veprimit të pakujdesshëm të një banori të fshatit Kullollas.

Sipas hetimeve paraprake, viktima ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij, duke shkaktuar përhapjen e flakëve në terren dhe rrezikun e madh për banorët dhe pronat e zonës.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

“Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave. Më pas, MM urdhëroi evakuimin edhe të 3 fshatrave të tjerë në zonë.

Institucionet e sigurisë dhe emergjencës janë të angazhuara maksimalisht në terren për izolimin e zjarreve dhe garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›