E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret në Gramsh, ministrat Vengu dhe Hoxha në fshatin Harunas

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Situata nga zjarret në bashkinë e Gramshit po vijon të mbetet serioze ndërsa deri tani po evakuohen banorët e shtatë fshatrave që ndodhen pranë vatrave të zjarreve.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ishte sot në fshatin Harunas të Gramshit, ku Forcat e Armatosura, ekipet e zjarrfikësve dhe organeve lokale të emergjencave civile po punojnë në terren për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve.

Vengu ndodhet në terren së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha dhe kreun e Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako.

Si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret, Ministria e Mbrojtjes kërkoi që banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Ndërkohë, sipas MM-së fshati Skënderbegas është evakuuar.

Më herët sot, MM dha urdhër për evakuimin e banorëve në tre fshatra të tjera të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë tërësisht të angazhuara në menaxhimin e situatës së rënduar nga zjarret në bashkinë Gramsh, me trupa të FA në terren, së bashku me zjarrfikës lokalë, forca policie, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat bashkiake. Dhjetëra mjete janë vënë në dispozicion, përfshirë zjarrfikëse, autoambulanca dhe mjete transporti, ndërkohë që 4 helikopterë po operojnë nga ajri për shuarjen e flakëve në zonat më të vështira. Prioritet mbetet evakuimi i banorëve nga zonat në rrezik. Për shkak të situatës, Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje banorëve të fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

/m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›