Turistët e huaj përgatisin zahiretë e dimrit, Rama: Mbresëlënëse

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Jo vetëm bregdeti dhe bukuritë natyrore, por edhe traditat, kultura dhe jeta në zonat rurale po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj të interesuar për të njohur vendin.
“Mrizi i Zanave”, një agroturizëm i njohur në zonën e Fishtës ka zgjedhur një ide origjinale për të promovuar traditat e zonës, duke përfshirë direkt turistët e huaj në procesin e përgatitjes së zahireve të dimrit.
Në videon e publikuar shihet teksa turistët francez i janë bashkuar stafit të “Mrizit të Zanave” edhe në procesin e përgatitjes për tharjen e domateve.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video nga kjo nismë, të cilën e konsideroi mbresëlënëse.
“Tek Mrizi i Zanave, turistët përgatisin zahiretë e dimrit”, shkruan Rama krahas pamjeve.
Kompleksi agroturistik që mban emrin e shtojzovalleve malësore, “Mrizi i Zanave”, ndodhet vetëm 10 km larg Lezhës, në fshatin Fishtë, në zemër të Zadrimës, i njohur si vendlindja e poetit të madh Gjergj Fishta.
Kompleksi agroturistik i ndërtuar nga një familje vendase e kthyer nga emigracioni disavjeçar në Itali, me synimin për të promovuar produktet e zonës, tërheq çdo vit mijëra vizitorë vendas e të huaj, të cilët pëlqejnë gatimet e përgatitura me prodhimet e zonës, por kanë edhe mundësinë të prekin nga afër jetën në fshat.
/m.m/j.p/