E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hyn në fuqi marrëveshja për administrimin e plazheve

TIRANË, 14 mars /ATSH/ Hyn në fuqi vendimi i qeverisë për modelin tip të marrëveshjes që do të lidhet mes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorëve strategjikë për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi.

Përmes kësaj marrëveshjeje synohet administrimi më i rregullt i hapësirave publike bregdetare dhe garantimi i sigurisë për pushuesit.

Sipas marrëveshjes së re, tarifa për përdorimin e brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi do të jetë e barabartë me tarifën e përcaktuar nga këshilli bashkiak përkatës dhe do të indeksohet çdo vit në bazë të normës së inflacionit, sipas të dhënave zyrtare të Instituti i Statistikave. Përllogaritja e tarifës së indeksuar do të kryhet nga institucioni përgjegjës, ndërsa brenda muajit tetor të çdo viti përdoruesit do t’u dërgohet fatura përkatëse për pagesë, e cila duhet të shlyhet brenda 30 ditëve nga marrja e saj.

Marrëveshja përcakton gjithashtu të drejtat dhe detyrimet e institucioneve që administrojnë hapësirat bregdetare, të cilat kanë të drejtë të monitorojnë respektimin e kushteve të kontratës në intervale tremujore gjatë vitit. Ndërkohë, hapësira e plazhit duhet t’i dorëzohet përdoruesit brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes dhe të garantohet përdorimi i saj i qetë gjatë gjithë periudhës së kontratës.

Përdoruesit e stacioneve të plazhit do të kenë detyrimin të respektojnë kushtet e sigurisë dhe standardet e higjienës, të bashkëpunojnë me autoritetet përgjegjëse për kontrollin dhe inspektimin e aktivitetit turistik, si dhe të kenë të punësuar vrojtues plazhi gjatë gjithë sezonit turistik. Certifikata e kualifikimit të vrojtuesit, së bashku me dokumentacionin përkatës të subjektit, duhet të afishohet në mënyrë të dukshme.

Në rast shkeljesh, marrëveshja parashikon edhe penalitete financiare. Ushtrimi i aktivitetit jashtë sipërfaqes së përcaktuar në kontratë dënohet me gjobë 150 mijë lekë, ndërsa mosmirëmbajtja apo ndotja e hapësirës së plazhit dënohet me gjobë 200 mijë lekë. Po ashtu, mungesa e vrojtuesit të plazhit dënohet me gjobë 200 mijë lekë, e cila në rast përsëritjeje shkon deri në 400 mijë lekë.

Marrëveshja parashikon edhe rastet kur ajo mund të zgjidhet para afatit, përfshirë situatat kur përdoruesi nuk përmbush detyrimet kontraktore apo në rast force madhore që pamundëson ushtrimin e aktivitetit. Në përfundim të marrëveshjes, përdoruesi është i detyruar të kthejë hapësirën e plazhit në gjendjen fillestare, ndërsa investimet e kryera nuk kompensohen financiarisht nga pala dhënëse.

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare, dhe rregullat e reja synojnë rritjen e standardeve të sigurisë, higjienës dhe administrimit të hapësirave bregdetare, si dhe garantimin e një shërbimi më cilësor për pushuesit gjatë sezonit turistik.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›