Hysa për ATSH: Mbi 250 mijë vizitorë në Belsh vitin e kaluar, investime në infrastrukturë dhe atraksione turistike

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Me 84 liqene të shpërndara në një sipërfaqe prej 196 kilometrash katrorë, Belshi mbetet një nga destinacionet më të veçanta turistike në Shqipëri, duke tërhequr çdo vit një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj.
Drejtori i Turizmit në bashkinë e Belshit, Albert Hysa, në një intervistë për ATSH-në, theksoi se pasuria natyrore, infrastruktura turistike dhe pozicioni gjeografik janë faktorët kryesorë që e bëjnë Belshin një destinacion të preferuar.
“Belshi është një zonë shumë e veçantë në Shqipëri. Numri i madh i liqeneve, destinacionet turistike dhe investimet e realizuara vitet e fundit e kanë kthyer qytetin në një atraksion të rëndësishëm. Kemi një shesh të sistemuar, pedonale, korsi biçikletash, kënde sportive, kullë panoramike dhe një natyrë të mrekullueshme. Gjithashtu, pozicioni gjeografik në qendër të Shqipërisë, pranë Tiranës, Elbasanit dhe Beratit, e bën lehtësisht të aksesueshëm”, u shpreh Hysa.
Sipas tij, bashkia Belsh vijon të investojë në projekte që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Projekti më i fundit është rikonstruksioni i kullës panoramike në hyrje të qytetit, ku në katin e parë do të vendoset një pikë informacioni turistik për orientimin e vizitorëve.
Një tjetër risi janë dy linjat “zipline”, të ndërtuara pranë liqenit të Belshit dhe liqenit të Marinzës, që u ofrojnë vizitorëve eksperienca të reja rekreative.
Ndërkohë, së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i një shtegu turistik me gjatësi 19 kilometra, i cili do t’u mundësojë turistëve të ecin ose të lëvizin me biçikletë duke shijuar panoramën e 7-8 liqeneve të zonës.
Sa i takon statistikave të turizmit, Hysa bëri të ditur se gjatë vitit 2025 Belshi regjistroi rreth 250 mijë vizitorë.
“Sipas të dhënave që marrim nga hotelet, restorantet dhe subjektet e tjera turistike, vitin e kaluar kemi pasur rreth 250 mijë vizitorë. Trendi është në rritje nga viti në vit dhe kemi turistë nga vende të ndryshme të botës”, tha ai.
“Për vitin 2026, pritshmëritë mbeten të larta, pasi fluksi i vizitorëve është i dukshëm jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe në ditët e zakonshme të javës”, vijoi ai.
Belshi ofron një sërë atraksionesh për vizitorët. Përveç qytetit, pedonales dhe korsive të biçikletave, turistët mund të bëjnë xhiro rreth liqenit të Belshit, lundrim me anije, si dhe të vizitojnë monumente dhe pika të tjera me interes kulturor.
Një nga investimet më të rëndësishme në zonë sipas Hysës është edhe kompleksi “Dumrea Eco Park”, i konsideruar si një projekt unik në Shqipëri, që përfshin disa atraksione të ndryshme turistike dhe argëtuese.
Me potencialin natyror, investimet e vazhdueshme dhe rritjen e numrit të vizitorëve, Belshi është një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit natyror dhe familjar në vend.
1 nga 20/e.i/r.e/