Shisnin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, në pranga katër persona

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Policia e Tiranës finalizoi sot fazën e katërt të operacionit të koduar “Zonat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Sipas policisë, në pranga kanë rënë katër shtetas që shisnin lëndë narkotike kokainë, në zona të ndryshme në Tiranë.
Konkretisht u vunë në pranga shtetasi E. S., 45 vjeç, I. D., 54 vjeç dhe F. Gj., 48 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës, me sasi të lëndës të dyshuar narkotike Kokainë, që i posedonin me qëllim shitjen.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme dhe më pas e shitnin në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonat e quajtura “Ish-Parku” dhe “Brryli”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 350 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe 2 peshore elektronike”, njoftoi policia.
Gjithashtu u arrestua edhe E. D., 32 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine, në disa zona në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë (e ndarë në mbi 220 doza) dhe një shumë parash, që i posedonte ky shtetas, në ambientet e subjektit ku punonte.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/j.p/r.e/