E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hysaj: Ndaj Serbisë është si një finale për ne, duam fitore

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Mbrojtës i Kombëtares Shqiptare të futbollit, Elseid Hysaj tha sot se kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për të fituar ndaj Serbisë, ndeshje që do të luhet të shtunën në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac.

I pranishëm në konferencën e pragsfidës, Hysaj thekson se emocionet janë të mëdha për ndeshjen që vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

“Po e përjetoj shumë emocionalisht, është e vështirë dhe e bukur. Mezor po pres të jemi në fushë nesër. Masat e sigurisë kanë qenë edhe herën e kaluar, besoj një gjë për sigurinë e tyre. Mund të na japin karikim, meqë jemi të mbrojtur”, u shpreh Hysaj.

Ai u shpreh se ndihet krenar që po arrin rekordin e ish kapitenit kuqezi, Lorik Cana. “Të them të drejtën është kënaqësi dhe nder të arrij rekordin e Lorik Canës, por mendoj për ndeshjen dhe Kombëtaren. Jam për skuadrën, pastaj do shikojmë gjëra tjera mbrapa”.

Hysaj nënvizoi se pritshmëritë për sfidën janë pozitive.

“Një ndeshje është, ndeshje futbolli që nuk dihet si mund të shkojë, siç ishte në Shqipëri, por futbolli është futboll, mund të kesh raste ti, të shënosh apo humbasësh, thjesht të japim 100% dhe pastaj të shohim si do të shkojë pas ndeshjes”, tha Hysaj.

Ambicia e kuqeiznjëve është fitorja.

“Ne kemi ardhur këtu për fitore, as për barazim e humbje, siç e thashë duhet të jemi të përqendruar. Duhet të jemi 120%, se është ndeshje delikate dhe e fortë. Mund të jetë finale për ne dhe ata.

“Të gjithë e mendojnë si unë, që jemi për fitore sepse nuk vijmë për rezultat tjetër. Por siç e thashë, futbolli është shumë i çuditshëm, nuk dihet si mund të shkojë. Gjëja e rëndësishme është që të gjithë të hyjmë në fushë për fitore dhe nesër mund të jetë dita”, theskoi Hysaj.

I pyetur për kundërshtarin, mbrojtësi kuqezi u shpreh se “e dimë se Serbia ka lojtarë dhe sulmues të mirë. Kam luajtur në Itali me sulmuesit që ka Serbia. Janë të gjithë me kualitet, edhe ne kemi. Dimë ta përballojmë sulmin e Serbisë”.

Të shtunën më 11 tetor në orën 20:45, kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Serbisë në Leskovac, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës. Përballja është si një finale, pasi vendos shumë për vendin e dytë në grup, që do të thotë play-off për në Botëror. Ndeshja e 11 tetorit është e katërta mes të dy ekipeve.

Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 8 pikë pas 5 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 4 ndeshjeve. Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.

Nëse Shqipëria arrin të fitojë këtë ndeshje, do të shënonte një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA. Ndërkohë, një fitore për Serbinë do të forconte pozitat e saj në grup.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›